39 viktima të konfirmuara nga rrëzimi i urës në Genova

schedule11:40 - 15 Gusht, 2018

schedule 11:40 - 15 Gusht, 2018

Ditë zie qytetare në Genova, pas tragjedisë të së martës ku si pasojë e rrëzimit të urës humbën jetën 39 persona, mes tyre dhe dy të rinj shqiptarë. Por autoritetet italiane paralajmërojnë se bilanci tragjik mund të rritet ende.

Janë dhe dy të rinj shqiptarë mes 39 viktimave si pasojë e rrëzimit të urës në Genova të Italisë mesditën e të martës. Marjus Djerri dhe Edi Bokrina, ndodheshin në furgonin “Qubo” të EuroPulizia. Duhej të shkonin në punë në një kompani në Rapallo. Të rinjtë u nxorën nga rrënojat para prindërve dhe grave të tyre, shkruajnë mediat italiane. Edhe ambasada e Shqipërisë në Itali ka konfirmuar vdekjen e dy shqiptarëve në tragjedinë e Genovas. Marjus Djerri është 22 vjeç nga Shijaku, ndërsa Edi Bokrina mendohet se është nga Shkodra.

Ndërkohë, në Genova është shpallur ditë zie një ditë pas shembjes së urës Morandi në autostradën A10. Mes viktimave, në një bilanc që konsiderohet ende i përkohshëm ka dhe tre të mitur, një 8 vjeçar dhe dy adoleshentë 12 dhe 13 vjeç. Në vendin e tragjedisë vijojnë kërkimet për personat e spallur të zhdukur. Sipas të dhënave zyrtare, mes të plagosurve nuk ka persona në rrezik për jetën, por ka ende vende që nuk janë arritur nga zjarrfikësit e ndaj mendohet se mund të ketë viktima të tjera.

Kryeministri Italian Xhuzepe Konte është takuar me familjarët e viktimave por dhe më të plagosurit në spital. Ai ka cilësuar ditën e martë si më të gjatën dhe më të vështirën që kur ka marë postin e kreut të ekzekutivit Italian. Gjatë ditës ai do të mbajë një takim në prefekturën e qytetit me zëvendës kryeministrat Salvini dhe Di Maio si dhe ministrin e Transportit Danilo Tonineli. Di Maio bëri përgjegëjs për tragjedinë “Autostradat për Italinë” duke thënë se kjo kompani private europiane kishte premtuar se çdo strukturë ishte në gjendje të mirë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!