Juventusi u mposht nga Udinese dhe festa e titullit u shty sërish. Bardhezinjtë shënuan të parët, por më pas pësuan dy gola. 38 gola për një ekip që po del kampion janë një shifër e madhe dhe trajneri Maurizio Sarri ka sqaruar pse u ka ndodhur diçka e tillë.
“Kemi pasur 12 penallti kundër, gjë që është e pazakontë për klubet e mëdha. Ka pasur më shumë goditje dënimi në përgjithësi, një rekord kudo, edhe pse për ne ka pasur një numër më të lartë. Chiellini ka qenë jashtë gjatë gjithë sezonit dhe njerëzit nuk e kuptojnë se sa kemi humbur nga përvoja dhe karakteri i tij”, shprehet Sarri për “Sky Sport Italia”.
Tekniku i Juventusit tregon problemin më të madh që ka skuadra e tij për momentin: “Kemi humbur organizimin tonë dhe formën, kjo është ajo që po na ndodh kohët e fundit. Luajtëm mirë pjesën e parë, pësuam më pas gol dhe donim të fitonim me çdo kusht. Kjo është arsyeja që nisëm të luanim të pa organizuar dhe krejtësisht lirshëm.
Prej dëshirës së madhe rrezikuam dhe në fund u mundëm. Është e vështirë të gjesh ekuilibrin në këtë moment, pasi çdo lojtar në ekip po lodhet. Gjithashtu nuk jemi agresivë për shkak të kësaj. Besoj se organizimi është më i rëndësishëm se agresiviteti në këtë moment. Lodhja është më shumë mendore se fizike. Pas barazimit ne e humbëm qetësinë”. /abcnews.al