Gjobitet me 10 milion lekë gazetarja Sonila Meço

schedule14:18 - 15 Maj, 2020

schedule 14:18 - 15 Maj, 2020

Gazetarja Sonila Meço është gjobitur me 10 milionë lekë të vjetra, pasi ka thyer rregullat mbi të ftuarit në studion televizive te “Tempora”.

Ajo ka bërë publik lajmin me anë të një statusi ku thotë se kjo gjobë është për të mbushur arkën shtetit, që sipas saj edhe 5 vjet më parë bëri të njëjtën gjë duke mbyllur një televizion, ku 500 punonjës u hodhën në rrugë.

Meço thotë se gjoba ka ardhur për shkak se ishin tre veta në studio, ndërsa ngre pyetjen pse duhet të merret një masë e tillë ndërkohë që në zyra apo biznese të tjera që janë hapur përgjatë pandemisë qëndrojnë edhe më shumë persona.

 “Pra shkeli qeveria rregullin në rastin e parë duke mos vendosur gjobë, por thjesht paralajmërim? Apo në të dytin duke vendosur gjobë pa paralajmërim?

Gjobë, ndërsa bëjmë detyrën për të informuar publikun edhe mbi masat jo ligjore dhe antikushtetuese të autoriteteve. P.sh a ka mundësi të na shpjegojë qeveria mbi çfarë argumentimi shkencor ka vendosur të ketë vetëm dy persona në studio televizive? Megjithëse në respektim të distancave dhe masave mbrojtëse? Kur në institucione brenda një zyre shumë herë më të vogël gjenden më shumë se dy persona? Në parukeri, fasoneri, dyqane e qendra tregtare?

Gjobë se nga dy ishim tre në studio ndërsa dëshmonim vendimet jo ligjore për shembje zonash muzeale në Krujë, ndërsa prokurori i antimafias italiane Gratteri dëshmonte se çereku i Shqipërisë rezulton i mbjellë me kanabis, teksa shqiptarët me zë e figurë dëshmonin mosmarrjen e pagës së luftës nga marsi e kur nënat na tregonin sesi privuar varfërie as bukë e arsim nuk i garantojnë dot fëmijëve. Dakord! Rregulli mbi faktet, dëshmitë dhe emocionet. E sidomos mbi interesin publik.

Po çfarë logjike shkencore kanë respektuar qeveritë në Itali e Gjermani kur Piazza Pulita, Di Martedi e ZDF lejohen të mbajnë mbi 4 veta në studio? Madje me distanca më të vogla se tonat? Italia, vendi i pasojave tragjike të covid-19. Çfarë dinë shkencëtarët tanë për situatën në vend, që nuk na e thonë?

Gjobë 10.000.000 lekë të vjetra ndaj programeve televizive, se nga dy kishin tre veta në studio. Por nga ana tjetër qeveria marsh të lartë legalizimit të kanabisit, amnistisë fiskale dhe shembjes së Teatrit Kombëtar, duke shkelur ligje, rregulla, kushtetutë e parime.

Për mua personalisht asgjë e re, prej vitesh provova mbylljen e transmetimit live, me një ulje leve.
Qëndrimin tre vjet larg medias, profesionit tim.
Sulmin publik nga autoritete zyrtare”, shkruan Sonila Meço./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!