Një tjetër bllok banimi ka përfunduar së rikonstruktuari në Tiranë. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, gjatë inspektimit të punimeve deklaroi se është shpresëplotë se minoranca e zhurmshme që saboton punët e qytetit do të bashkëpunojë për kryeqytetin.
Blloku i banimit në zonën e Doganës në Tiranë ka ndryshuar pamje. 35 segmente rrugore janë rehabilituar. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, inspektoi përfundimin e punimeve.
“Jo vetëm që infrastruktura këtu ishte e ngjashme me Kandaharin, por krijohej trafik, pluhur, baltë e llucë. Ndërkohë sot, jo vetëm që s’ka trafik sepse secili mbaron punë shpejt në rrugicën përkatëse, por kemi transformuar një bllok me 35 rrugë”.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë i bëri thirrje opozitës të bashkëpunojnë për qytetin.
“Unë e kuptoj se jo të gjithë punojmë me të njëjtën dëshirë dhe dashuri për qytetin. Ka disa që nuk u vjen mirë pse qytetit po i shkojnë punët mbarë, megjithatë them se është mirë edhe për ata. Edhe për ata që e kishin në dorë dhe mund ta kishin ndryshuar Tiranën, por humbën një shans për ta bërë dhe do të duhet që tani të bashkëpunojmë të gjithë, përtej të majtës dhe të djathtës, për vendime të rëndësishme për qytetin. Këtë frymë ende nuk e kemi parë, megjithatë jam shpresëplotë se duke shtrirë gjithmonë dorën, ne që duam punë dhe që duam qytetin, besoj se edhe ajo minorancë e zhurmshme që do të sabotojë punën në qytet do të ketë mundësi të na bashkohet në këtë vit të fundit, për të thënë edhe ata që dhanë një kontribut modest për mbarëvajtjen e Tiranës”.
Veliaj shtoi se edhe në këtë vit të fundit të mandatit, Bashkia e Tiranës do të jetë në terren duke çuar investimet edhe në zonat rurale të Tiranës. Pas legalizimit të ndërtimeve informale ato do ti nënshtrohen urbanizimit./abcnews.al