35 deputetë të PD munguan në Kuvendin e 30 Prillit, Këlliçi: Është për t’u habitur

schedule22:23 - 2 Maj, 2022

schedule 22:23 - 2 Maj, 2022

Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi thotë se është i habitur nga mungesa e 35 deputetëve të demokratë në Kuvendin e 30 Prillit.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Këlliçi u shpreh se edhe deputetët që janë kritikë do duhet të shkonin në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së më 30 Prill për të thënë opinionin e tyre.

“Është për t’u habitur sepse nuk di të bëj arsyetimin logjik në Kuvendin e demokratëve të atyre që i kanë mbështetur, mandatuar dhe dhënë mundësinë të gjithë deputetëve të Partisë Demokratike. Nëse Kuvendi Kombëtar do përbëhet vetëm nga deputetët e PD, i bie që të kishim 52 anëtarë të Kuvendit Kombëtar dhe ne të bënim këtë bilanc.

Nuk arrij ta kuptoj se përse nuk duhet edhe ata që janë kritikë të vijnë dhe të thonë të vërtetat aty. Kanë qenë një sërë demokratësh që kanë ardhur dhe kanë folur kanë kritikuar dhe kanë thënë të vërtetën e tyre”, u shpreh Belind Këlliçi.

Mbledhja e Këshillit Kombëtar ishte vetëm një hap i parë i një procesi zgjedhjesh që do të vijojnë në PD-në e drejtuar nga Komisioni i Rithemelimit. Ky këshill do të zgjedh 2 nënkryetarët e saj. E njëri prej tyre më pas do të zgjidhet kryetar i grupit parlamentar demokrat, që do të pasojë Enkelejd Alibeajn.

Po ashtu përmes votës, anëtarët e Këshillit do të zgjedhin Sekretarin e Përgjithshëm. Zgjedhjet do të kulmojnë më 22 maj, kur është vendosur të zgjidhet kryetari i Partisë Demokratike dhe do të zgjidhet më pas dhe Kryesia e PD-së.

E ndërsa priten këto zhvillime, grupi i Enkelejd Alibeajt që nuk e njeh Kuvendin e zhvilluar një ditë më parë, pret vendimin që do të marrë Gjykata e Apelit, që vendos se kush nga dy grupet do të drejtojë PD-në.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!