Një i ri kosovar emigrant në Francë, ka tërhequr vëmendjen e mediave në këtë vend. Ai ka ndihmuar dy familje fqinje, të cilat në fundjavë u rrezikuan seriozisht nga përmbytjet për shkak të motit me stuhi.
Ai sot është një tjetër hero shqiptar në Francë. Florim Shehu u ka shpëtuar jetën dy familjeve që rrezikoheshin nga përmbytjet e fundjavës së kaluar në prefekturën Majenë të Francës. 33-vjeçari nga Kosova është emigrant në Francë dhe ka aplikuar për azil. Por këto ditë, ai është vënë në qendër të mediave franceze, për aktin e tij të guximshëm.
Ai arriti fillimisht të shpëtojë një grua dhe dy fëmijët e saj që rrezikoheshin të përmbyteshin pasi uji pushtoi rrëmbyeshëm katin e parë të banesës. Të gjithë fqinjët e rrezikuar i dërgoi në apartamentin e tij, një kat më sipër. Më pas, Florimin e ka telefonuar një tjetër fqinj që ndodhej në Paris. Duke marrë vesh për situatën e vështirë të motit, ai i kërkoi të riut nga Kosova të ndihmojë familjen e tij. Dhe ndihma e 33-vjeçarit sigurisht nuk mungoi.
Është heroi ynë, thonë fqinjët për Florimin, i cili ndihet i lumtur që ka arritur të shpëtojë jetën e tyre, ndonëse nga vërshimet e furishme të ujit humbi makinën e tij.
Florim Shehu është prej 3 vitesh emigrant në Francë dhe ka aplikuar për azil në prefekturën e Majenës. Por ende nuk ka marrë përgjigje nga shteti francez. Megjithatë kryebashkiaku Denis Muchel premton se do të mundësohet gjetja e një zgjidhje për këtë njeri që sakrifikoi për të shpëtuar fqinjët./abcnews.al