Kryeministri Edi Rama u shpreh i keqardhur që politika shqiptare ka nevojë për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend Rama u shpreh se për herë të parë BE ka ndërhyrë në politikën e brendshme.
“31 maji nuk solli rezultat. Më vjen shumë keq që në vitin 2020 politika ka nevojë për ambasadorë të huaj që të hyjnë në mes dhe që thjesht të lehtësojnë procesin e komunikimit. Për gjëra që kanë interes të përbashkët duhet të flasim, vetëm kaq. Një fatkeqësi kjo që tregon shumë. Nuk kam kërkuar dhe nuk i kërkoj unë ambasadorët, por meqenëse të tjerët e kishin të pamundur të uleshin ishin të gatshëm të uleshin me tre pale përkthyes shqip-shqip”, deklaroi Rama.
Lexo edhe: Rama: Viktima bëhet mish për top, duhet të na vijë turp nëse vërtetë ajo që ndodhi nuk na prek
Sa i përket identifikimit elektronik Rama u shpreh: Nga firmosja e kontratës deri te realizimi i sistemit elektronik duhet minimum gjashtë muaj. Do duhet të votohet nga parlamenti gjithë struktura e KQZ së re, që është komplet model tjetër. Kontrata kur të bëhet në janar, në shkurt fillon puna për të bërë sistemin, dhe pastaj do të bëhen zgjedhjet në pranverë.
Ne pranojmë të hyjë identifikimi elektronik për aq sa arrihet dhe pjesa tjetër të vazhdojë me mënyrë tradicionale dhe PD ta gjejë një njeri, ta zgjedhë nga dhomat e SHQUP, nuk na intereson fare sa i depolitizuar apo i politizuar është, ta vendosë aty me votën tonë, që të merret me teknologjinë. Le ta bëjnë vetë, që mos thonë pastaj ‘jo qafiri andej, jo ndrikulla këtej’. Nuk duam fare të hyjmë në këtë proces, ta marrin elektronikën, ta bëjnë vetë, ne jemi ok”, u shpreh Rama.