Pas bërjes publike të emrave kandidatë për anëtar të Gjykatës Kushtetuese që zgjidhet nga Kuvendi, ka përfunduar edhe procesi i shprehjes së interest për plotësimin e kësaj trupe. Dy vakanca të shpallura nga Presidenti dhe një nga Kuvendi kanë sjellë në total 31 emra kandidatë për tre poste të Kushtetueses.
Publikimi i kandidatëve për gjyqtar Kushtetues nga Kuvendi plotëson panoramën e anëtarëve të ardhshëm të trupës së Kushtetueses. Ajo që vihet re, është një kategorizim i këtyre kandidaturave.
Edhe pse kushtet dhe kriteret për aplikim janë të njëjta, dhe çdo kandidat dështon në përmbushjen e kriterit kushtetues të përfundimit me sukses të procesit të vettingut, shpallja njëkohësisht e këtyre vakancave me diferenca në procedurë dhe kohëzgjatje të mandatit që jep, ka ndarë kandidatët në disa grupe.
Nëntë janë ata që kanë provuar fatin kudo, përkundër 12 të tjerëve që kanë aplikuar vetëm për një post vakant.
Kushtetuta ngarkon Këshillin e Emërimeve në Drejtësi të listojë në tre vendet e para kandidatët, por ligji, në rastin e Kuvendit, renditjen ia lë tagër Komisionit të Ligjeve.
Këtu krijohet ndryshimi i parë mes kandidaturave tek Presidenti dhe atyre tek Kuvendi. Nëse të parët duhet të gëzojnë vlerësimin e trupës me gjyqtarë të KED, të dytët duhet t’i mbushin edhe mendjen politikës. Minimalisht 6 janë ata të cilët duket se kanë aplikuar bazuar në institucionin që më pas i përzgjedh.
Një tjetër ndryshim mes vakancave është edhe kohëzgjatja e mandatit që ato japin. Vakanca e parakohshme, e shpallur nga Presidenti pas dorëheqjes se gjyqtarit Besnik Imeraj, mban gjyqtarin e ri në detyrë deri në përfundimin e mandatit të atij të larguar, që do të thotë vetëm 4 nga 9 vitet e mandatit të plotë. Të paktën 4 janë kandidatët që kanë aplikuar bazuar në kohëzgjatjen e mandatit.
Gjykata Kushtetuese ka mbetur me 6 nga 9 antarë, një prej të cilëve me mandat të përfunduar. /abcnews.al