30 vjet nga ngjarja, qeveria kineze mbron ndërhyrjen në Tianmen

schedule14:25 - 2 Qershor, 2019

schedule 14:25 - 2 Qershor, 2019

Kur kanë kaluar 30 vjet nga manifestimet pro-demokracisë në sheshin Tienanmen, qeveria e sotme kineze ka mbrojtur ndërhyrjen e atëhershme të regjimit për të shtypur protestat, duke i quajtur ato një turbulencë politike.

Në një reagim të rrallë, autoritetet në Kinë kanë mbrojtur ndërhyrjen e bërë në vitin 1989 në sheshin Tienamen. Ministri i Mbrojtjes, Uei Feng deklaroi në një forum rajonal se ndalimi i asaj që e quajti “turbulencë” ishte një politikë “korrekte”.

Në pranverë të 1989-s, studentë dhe punëtorë mbushën sheshin Tienanmen të Pekinit në një protestë masive pro-demokracisë. Shumë prej tyre mbetën të vrarë nga reagimi i regjimit komunist.

E marta e ardhshme shënon 30-vjetorin e ngjarjeve, që u mbyllën me atë që njihet si masakra e Pekinit në datat 3 dhe 4 qershor.

“Ai incident ishte një turbulencë politike dhe qeveria qendrore mori masa për ta ndaluar. E gjitha ishte një politikë korrekte”, deklaroi gjenerali Uei Feng kur u pyet nga audienca në një forum rajonal të mbajtur në Singapor.

Ai theksoi se 30 vitet që kanë kaluar që prej atëherë kanë provuar se Kina u është nënshtruar ndryshimeve të mëdha dhe se është pikërisht falë aksionit qeveritar të asaj kohe që sot Kina gëzon stabilitet dhe zhvillim.

Qeveria kineze nuk ka deklaruar kurrë se sa protestues mbetën të vrarë në sheshin Tienanmen, por vlerësimet variojnë nga disa qindra në disa mijëra./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!