30 vjet “dhjetor ’90”, Ceka: Gabimi ynë më i madh ishte se zgjodhëm variantin më të keq

schedule22:08 - 7 Dhjetor, 2020

schedule 22:08 - 7 Dhjetor, 2020

Emisioni “Log.” me gazetarin Endri Xhafo dhe me një panel të ftuarish, Neritan Ceka, Armand Shkullaku, Besnik Mustafaj, Blendi Gonxhe, këtë të hënë u fokusua tek protesta e studentëve të dhjetorit të 1990.

Gazetari Armand Shkullaku, teksa komenton momentin e rënies së bustit të Enver Hoxhës ku edhe në atë kohë u krijua një lloj tensioni, shprehet se edhe nga Partia Demokratike u ndje një lloj përgjegjësie si edhe frikë se mos po shkohej drejt një përplasje civile.

Lexo edhe: Ish studenti i dhjetorit ’90: Komisariatet vendi më i sigurtë, frika ishte para futjes në Pallatin e Brigadave

“Pas kësaj ka ardhur në moment nga PD një lloj udhëzimi që e gjithë kjo situatë të shkonte drejt qetësimit”, tha Shkullaku.

Sa i përket rënies së monumentit të Enver Hoxhës, Mustafaj tha se ishte një lëvizje masive që brenda saj ishte PD, por që sipas tij PD nuk komandonte lëvizjen.

“Brenda PD kishte 100 mendje, por diktatura nuk kishte fuqinë ekonomike të shiste forcë. Pra nuk ishte tendenca për të vrarë prindërit tanë. Por filloi ardhja e diplomateve të huaja perëndimore që ndikonin për unifikimin e një qëndrimi politik dhe jo ushtarak”, u shpreh ai.

Për historianin Neritan Ceka qeveria e stabilitetit ishte diçka pozitive që u realizua nga PD, ndërsa shprehet se ai vetë nuk do të kishte bërë të njëjtën veprim, nëse në atë periudhë do të kishte përvojën e tanishme.

“Me ligjin Kushtetues fillon ndërtimi i institucioneve, por gabimi jonë i madh ishte që zgjodhëm variantin më të keq. Ajo që bëra unë, po të kisha përvojën e tanishme nuk do ta kisha bërë”, u shpreh Ceka.

“Ndryshime e mëdha i frikësojnë popujt e vegjël”, kështu u shpreh gazetari Shkullaku, ndërsa shton: “Në një farë mënyre po fillonte të krijohej një lloj stabiliteti. PD e cila kishte pësuar humbje në ’91. Gramoz Pashko dhe Sali Berisha nuk janë pranuar me njëri-tjetrin që kur janë njohur, janë totalisht kundër. Një konflikt i përhershëm. Kjo nuk ishte thjesht një duel Berisha-Pashko. Berishës i duhej radikalizmi”.

Sakaq Neritan Ceka shton: Duhet të kemi parasysh që PD nuk kishte program. Dhe këtu është diferenca e Blend Gonxhes dhe ish-studentëve të mi. Ne që morë drejtimin e lëvizjes na gjeti të befasuar, nuk kishim një program. Kur jemi futur në zgjedhjet e 31 marsit nuk kishim program. Ne besonim që vetëm fakti se duhej përmbysur sistemi mjaftonte për shqiptarët, që të votonin për ne dhe kjo nuk ndodhi. Ka qenë një zhgënjim i madh.

/abcnews.al/