30 vite nga dyndjet në ambasada, Demalia: Në ’90 kishte shpresë, sot zhgënjimi më i madh

schedule18:11 - 2 Korrik, 2020

schedule 18:11 - 2 Korrik, 2020

Sot u shënuan 30 vite nga dyndja e shqiptarëve në ambasada. Në një intervistë për Abc News, Ilir Demalia, i cilësuar edhe si organizatori i ngjarjes së ambasadave foli për atë ditë të shënuar për historinë e vendit.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarin Endri Xhafo, Demalia tha ndër të tjera se ajo ishte një goditje për regjimin, që iu dha nga qytetarët e thjeshtë.

Pjesa më e madhe ishin njerëz të thjeshtë që i dhanë goditje regjimit. Ky lloj guximi dhe rebelimi për të vrarë frikën u mbështet nga pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare. Në atë dyndje të ambasadave nuk kishte njerëz të artit dhe Kulturës, kishte pak. Këto rrahjet e gjoksit të armë më duken të neveritshme”, tha ai.

Ndonëse kanë kaluar 30 vite, për Demalian situata në vend është e njëjtë. Sipas tij edhe pas tre dekadash nga kapërcimi i mureve të ambasadave, shqiptarët ende duan të ikin nga vendi. Sipas tij, ndonëse në ’90 kishte shpresë, sot zhgënjimi është edhe më i madh.

“Unë mendoj se sot është e njëjta situatë. Fakti që shqiptarë duan të largohen në masën 50%, fakti që kërkesat për emigrim janë më të larta se të Irakut, Sirisë, Afganistani. Fakti që nuk kemi mundur të ndërtojmë institucionet e demokracisë. Fakti që nuk kemi mundur.

Fakti që institucionet tona janë të rrënuara. Fakti që ne akoma diskutojmë lista të hapura apo të mbyllura nuk jemi në një situatë demokracie. Demokracia është ballafaqim, përplasje. Shqiptarët nuk kanë arritur ta kenë këtë.

Zhgënjimi është i madh. Sepse krahasuar me ’90, atëherë kishte një shpresë. Sot ajo shpresë është bërë gjithmonë më e vakët”, u shpreh ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!