30 ditë paraburgim për autorin e vrasjes së dyfishtë në Gjakovë

schedule13:13 - 10 Gusht, 2018

schedule 13:13 - 10 Gusht, 2018

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Pjetër Ndrecaj, pasi dyshohet për vrasjen e dyfishtë, të martën mbrëma në fshatin Brekoc të Gjakovës.

Gjykatësi i rastit Shaqir Zika, seancën dëgjimore e ka mbajtur në Spitalin Rajonal të Gjakovës “Isa Grezda”, në repartin e Psikiatrisë, ku të pranishëm kanë qenë edhe prokurori i shtetit, Agron Matjani, avokatja e të pandehurit Fehmije Zhubi si dhe psikiatri Zef Komani.

I dyshuari ka shprehur keqardhje për vrasjet duke mos shtuar asnjë fjalë tjetër.

Të enjten seanca nuk kishte përfunduar dot, pasi Ndrecajt i kishte rënë të fikët në momentin kur prokurori Matjani, po lexonte aktakuzën dhe aty i pandehuri e kishte kuptuar se përveç ish-bashkëshortes kishte vrarë edhe vajzën e tij nëntë vjeçare.

Ndërkohë Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë në një konferencë për mediat u shprehën se viktima gjatë raportimit të kanosjes nga ish-bashkëshorti në polici nuk kishte kërkuar mbrojtje, sipas tyre rasti nga Policia e Gjakovës është hapur vetëm si “kanosje”.

Në anën tjetër, Agim Pula nga zyra për mbrojtjen e viktimave deklaroi se i kanë ofruar strehim viktimës por ajo nuk ka pranuar, me arsyetimin se është e strehuar te vëllezërit e saj. Në deklaratën para hetuesisë edhe vëllai i viktimës ka deklaruar se do ta mbrojë motrën e tij dhe pesë fëmijët e saj.

Por vëllai i viktimës Shkëlzen Marku ka akuzuar shtetin se nuk ka arritur ta mbrojë dot motrën dhe pesë fëmijët e saj, sepse ajo ishte shtetase e Shqipërisë. Familjarët e të ndjerës si dhe të afërm kanë zhvilluar një protesë në vendin e lindjes së saj, duke kërkuar drejtësi dhe duke akuzuar policinë se nuk ka marrë masat e duhura.

Prokuroria e Shtetit dhe Inspektorati Policor i Kosovës kanë nisur hetimet lidhur me dyshimet për neglizhencë dhe moskryerje të detyrave të Policisë dhe prokurorëve në parandalimin e vrasjes së dyfishtë të 40-vjeçares Valbona Marku-Ndrecaj dhe vajzës së saj 9-vjeçare në Brekoc të Gjakovës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!