Fotografi Brian Hoxha ishte i ftuar në “Abc-ja e mëngjesit”, ku tregoi një ngjarje sa prekëse aq dhe të bukur të një emigranti shqiptar që jeton në Angli. I riu shqiptar me emrin Xhuli, i kishte kërkuar fotografit përmes një komenti në rrjete sociale, t’i bënte disa foto nënës së tij që kishte tre vite pa e parë.
“Ishte një gjë shumë e bukur që ndodhi. Unë kisha bërë dhe video të tjera, nga hobi që kam për fotografinë, dilja dhe bëja foto çdo gjë që më dukej e bukur. Xhuli më kontaktoi, më bëri përshtypje besimi që i dha punës time se më dha adresën e punës së nënës së tij që të shkoja atje dhe ta fotografoja.
Kishte tre vite pa e parë pasi ishte në emigrim. Duhej ta bëjë atë gjë para datës 10 korrik. Kisha shumë emocione sepse po hyja në shtëpinë e një personi të panjohur. Zonja më pa dhe më pas vazhdova dhe videon e lashë. Ajo nuk po e kuptonte, është shumë normale se vjen një person të të bëjë disa foto.
Më tha ‘për ca i do djali im këto foto, ne flasim për ditë me video’. Ishte si me dy mendje dhe në një moment po ndjehesha në siklet sepse më dukej sikur po e shtyja për diçka që nuk donte ta bënte. Pastaj foli me djalin.”, tregoi ai duke shtuar më pas se u prek nga historia e trishtë e familjes së tyre.
Brian rrëfeu se babai i djalit që i kishte kërkuar fotot, kishte ndërruar jetë kur kishte qenë 1 vjeç duke lënë nënën e tij me katër fëmijë jetimë. /abcnews.al