3 persona grabitën fabrikën e lekurës, mbeten në burg dy prej tyre

schedule17:30 - 15 Prill, 2020

schedule 17:30 - 15 Prill, 2020

Karantinimi gjatë kësaj periudhe të epidemisë nuk i ka penguar skifterët të hidhen në aksion.

Pavarësisht kushteve jo të favorshme nga numri i lartë i kontrolleve policore Ajet Sela, Arjan Murati dhe Vehbi Shahu kanë arritur të grabisin një fabrikë lëkure në fushë arrëz.

Të pajisur me maska, doreza e leva ata kanë mundur që mbrëmjen e 12 prillit të hyjnë në fabrikën.

Të tre grabitësit kanë hyrë në biznes përmes tubit të ajrimit e më pas duke thyer derën e brendshme kanë marrë prej aty një sasi lëkure.

Por suksesi i tyre nuk ka zgjatur shumë. Pasi janë larguar nga ambientet e biznesit, gjatë kthimit, në aksin Tiranë-Durrës janë përballur me postbllokun e policisë e cila iu ka kërkuar lejedaljet.

Dy prej hajdutëve Ajet Sela dhe Arjan Murati nuk i janë bindur urdhrit dhe janë larguar me vrap.

Por kanë mjaftuar vetëm pak minuta ndjekje dhe uniformat blu kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e tyre. Më pas është prangosur edhe Vehbi Shahu.

Në momentin e ndalimit atyre u janë sekuestruar edhe maskat, dorezat dhe leva.

Përpara grupit hetimor Sela ka pranuar dhe rrëfyer krimin.

Ai ka treguar se vjedhjen e ka kryer në bashkëpunim me Arjan Muratin, që është ish-punonjës i fabrikës së lëkurës si dhe Vehbi Shahun.

Madje sipas dosjes së prokurorisë së Tiranës, Ajet Sela ka thënë se plani për vjedhjen është bërë në shtëpinë e Vehbi Shahut, ndonëse ky i fundit e ka mohuar përfshirjen në krim.

Në dosje thuhet gjithashtu se Murati i ka kërkuar ish-shefi të tij, që të mos e denoncojë në polici.

Por pronari i fabrikës e kishte bërë kallëzimin pasi ka pretenduar se dëmi i shkaktuar kapte vlerën e 5 mijë eurove.

Të mërkurën gjyqtari Erjon Bani ka caktuar masën e sigurisë për tre të akuzuarit për grabitje.

Gjyqtari i çështjes Bani ka pranuar kërkesën e prokurorit Bledar Valikaj duke lënë në burg Ajet Selen dhe Arjan Muratin, ndërsa Vehbi Shahu u la i lirë pa masë sigurie./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!