Dy zyrtarë të lartë iranianë, njëri prej të cilëve ambasador, u shpallën si persona të padëshiruar në vendin tonë. Shkak janë bërë dyshimet se ata fshihen pas tre komploteve terroriste që janë parandaluar në vendin tonë. Ky qëndrim i qeverisë shqiptare u përshëndet nga presidenti amerikan Trump, sekretari amerikan i shtetit Pompeo e zyrtarë të tjerë të lartë.
Qeveria shqiptare ka shpallur si persona të padeshiruar dy diplomatë të Republikës Islamike të Iranit të akredituar në Tiranë. Vendimi u bë i ditur nga zëdhënësja e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, vendim i cili bazohet në dyshimet se dy diplomatët iranianë janë të përfshirë në aktivitete që cënojnë sigurinë në vend. “Vendimi për shpalljen e diplomatëve iranianë si të padëshiruar është marrë në konsultim me vendet aleate, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik”, thuhet ne reagimin e zëdhënëses së ministrisë. Ky vendim i marrë nga Shqipëria u vlerësua nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald trump, i cili përgëzoi Qeverinë e Shqipërisë për arsye se ndërmori veprime kundër regjimit Iranian për komplotin e tij terrorist në tokën shqiptare, duke kërcënuar sigurinë evropiane. Sipas Trump qeveria e Shqipërisë ka treguar udhëheqësi të vërtetë në përpjekjet e përbashkëta për t’i dërguar një mesazh të qartë Iranit se kryerja e veprimeve terroriste në Evropë, apo kudo tjetër, është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet. Presidenti Trump garanton se SHBA do të qëndrojë krah për krah me Shqipërinë, si aleat në NATO dhe partner strategjik.”
Në letren e presidentit Trump shkruhet:
“I dashur Z. Kryeministër: Faleminderit për përpjekjet tuaja të palëkundura duke iu kundërvënë Iranit dhe duke iu kundërpërgjigjur veprimeve e përpjekjeve të tij destabilizuese për t’u mbyllur gojën disidentëve anembanë globit. Udhëheqësia e treguar nga ju me dëbimin e Ambasadorit të Iranit nga vendi juaj është shembull i përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda. Shqipëria ka qenë gjithmonë një mike e madhe e Shteteve të Bashkura dhe unë mirëpres rritjen e partneritetit tonë, ndërsa ballafaqohemi me çështjet e shumta të rëndësishme që të dy vendet tona hasin. Sinqerisht, Donald Trump”.
Ky vendim i marrë nga Shqipëria u vlerësua edhe nga Këshilltari i presidentit Trump për sigurinë kombëtare, Xhon Bolton. “Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sapo dëboi nga Tirana ambasadorin iranian, duke u dhënë një sinjal të qartë liderëve të Iranit se mbështetja e tyre për terrorizmin nuk do të tolerohet”, ka thënë Bolton në profilin e tij në Twitter. Zyrtari i lartë i administratës amerikane ka shprehur mbështetjen e tij për kryeministrin Rama dhe popullin shqiptar, që, siç thotë ai, kanë vendosur t’i bëjnë ballë sjelljes agresive të regjimit iranian në Europë e më gjerë. Një reagim ka ardhur edhe nga sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo, i cili vlerëson se diplomatët e dëbuar ishin agjentë që kishin planifikuar sulme terroriste në Shqipëri. “Vetëm këtë vit shtetet europiane kanë shmangur tre sulme terroriste. Bota duhet të qëndrojë e bashkuar për të sanksionuar regjimin iranian deri në ndryshimin e sjelljes së tij destruktive”, ka deklaruar Pompeo./abcnews.al