Elita 5 është një ndër grupet më të famshme shqiptare që i ka rezistuar kohës. Këngët e bandës pëlqehen jashtëzakonisht shumë nga publiku dhe kthehen menjëherë në hite. Sot, vokalisti i grupit, Arif Ziberi foli në “Abc-ja e mëngjesit” për rrugëtimin e tyre artistik dhe për këngën e fundit, Lamtumirë, të publikuar dy javë më parë.
Artisti tregoi dhe “çelësin” që e ka mbajtur gjallë grupin e tyre prej kaq shumë vitesh. “Janë 33 vite për publikun që na njeh si grup por ekzistojmë dhe shumë më përpara, që nga viti i parë i shkollës së mesme. Mos të them plot 40 vite nga takimi i parë dhe kemi bërë këtë profesion si hobi. Neve na mban shoqëria, jemi në një qytet, kemi mësuar në një shkollë.
Na ka mbajtur dëshira për muzikën dhe shoqëria e afërt me njëri-tjetrin. Por tashmë kanë ndryshuar gjërat dhe e trajtojmë muzikën si profesion. Takohemi me njëri tjetrin por kur vjen puna për ndonjë projekt. Në vite kemi krijuar dhe familjet, jemi dhe në koncerte, ngelet shumë pak kohë te jemi me familjet.“, tha ai.
Më tej, ai u ndal dhe te mbesa, me të cilën tregoi se ka një lidhje të ngushtë. “Nuk mund të përshkruaj dashurinë që kam për mbesën. Më thoshin se duhet më shumë se sa fëmija jot por tani e përjetova dhe vetë. Është një ndjenjë e paparë, dashuria mes meje dhe asaj është diçka që nuk përshkruhet me fjalë. Është kënaqësia më e madhe në jetë për momentin.”, tha ai.
/abcnews.al