3.4 milionë eurot në Durrës, arrest me burg katër të ndaluarve

schedule14:15 - 28 Qershor, 2018

schedule 14:15 - 28 Qershor, 2018

Katër të ndaluarit pas sekuestrimit të 3.4 milionë eurove në Durrës kanë pretenduar pafajësi në gjykatë. Ata deklaruan se nuk kanë dijeni për paratë, por gjykata e Durrësit dha si masë paraprake për të ndaluarit arrest me burg. Çështja ndaj tyre do t’i kalojë Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë.

Akuzohen që kryen transportin e 3.4 milionë eurove përmes dy automjeteve që u kapën në Durrës. Të katërt u paraqitën për masë sigurie ne gjykata.

Ata janë  Edi Lika, administrator i kompanisë që solli makinat nga Belgjika për llogari të shtetasit Alfred Vladi, djali i tij Klevis Lika, shoferi i trailerit tip Bizark Agim Çeka dhe Alban Mollaymeri, pronar servisi.

Prokuroria Ornela Rrumbullaku kërkoi arrest me burg për të ndaluarit duke i akuzuar për pastrim parash dhe grup i strukturuar kriminal.

Gjykata dha si masë sigurie paraprake për të katërt atë të arrestit me burg. Ndërkohë referuar akuzave te ngritura nga organi i akuzës, gjykata shpalli moskompetencë duke ia kaluar çështjen Krimeve të Rënda  në Tiranë.

Mësohet se avokatët e 4 personave të pandehur, kanë deklaruar se në 12 qershor është nisur kamioni drejt Belgjikës për të ngarkuar disa autovetura tip Toyota Yaris, ndërkohë që në datë 16 qershor ka mbërritur në Belgjikë. Personi që ka ngarkuar makinat ka qenë Elvis Vladi, ndërsa në Durrës ato do të priteshin nga djali i xhaxhait të tij, Alfred Vladi, i shpallur në kërkim.

Në fund të vendimit avokati i dy prej të arrestuarve, Saimir Vishaj ka deklaruar se të ndaluarit janë viktima duke e cilësuar si të padrejtë vendimin e dhënë nga gjykata.

Katër të arrestuarit kanë mohuar të kenë dijeni mbi paratë, duke pretenduar pafajësinë. /abcnews.al

 

 

 

 

 

 

 

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!