Gjykata e Tiranës ka rrëzuar akuzat për katër prej gjashtë të arrestuarit e çështjes “Toyota Yaris”, në të cilën u gjetën 3.4 milion euro.
Siç raporton gazetarja Glidona Daci për abcnews.al, për gjykim të mëtejshëm është dërguar çështja për dy të akuzuarit, Ervis Vladi për “mosdeklarim të të hollave në kufi” si edhe për Agim Cekën, për “armëmbajtje pa leje”.
Ndërkohë, akuza është pushuar për Alfrd Vladin, Klevi Canin, Alban Mollaymerin dhe Edi Likën.
Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, prokuroria e ka ankimuar vendimin në Gjykatën e Apelit.
Autoritetet në portin e Durrësit zbuluan 3.4 milion euro në një makinë tip “Toyota Yaris”, e cila ishte nisur nga Belgjika.
Pas zbulimit të saj, policia dhe prokuroria arrestuan gjashtë personat e mësipërme, si të dyshuar për ngjarjen. /abcnews.al