Marrëveshja e re do të jetë e vlefshme deri në vitin 2028. Borussia Dortmund dhe “PUMA” gjetën gjuhën e përbashkët dhe firmosën për të vijuar bashkëpunimin dhe sigurisht gjermanët do të jenë të lumtur, pasi raportohet se do të përfitojnë 250 milionë euro.
Verdhezinjtë, prej shtatë vitesh kanë si sponsor teknik “PUMA”. “PUMA ka qenë prej kohësh jo vetëm një furnizues dhe sponsor i BVB, por edhe një aksioner i rëndësishëm i klubit tonë. Partneriteti ynë është rritur dhe shkon përtej një marrëdhënie normale biznesi. Ka qenë një histori e përbashkët suksesi dhe ne duam të shtojmë një kapitull të ri në vitet e ardhshme”, ka deklaruar zyrtari i lartë i Dortmund, Hans-Joachim Watzke.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së re, ka folur edhe CEO i “PUMA”, Bjorn Gulden: “Borussia Dormund është një nga partnerët tanë kryesore dhe ne i duam tifozët e këtij klubi dhe atmosferën që ata krijojnë rregullisht në ‘Signal Iduna Park’, madje mund të jetë atmosfera më e mirë që bëhet në një stadium”. / abcnews.al