Nga Xhensila Kodra
Një efektiv policie, Inspektor në komisariatin numër 1 në kryeqytet është arrestuar për dhunë në familje. 54 vjeçari u denoncua nga bashkëshortja dhe dy fëmijët, se në periudha të ndryshme, për disa vite me radhë janë dhunuar fizikisht e psikologjikisht nga kryefamiljari. Madje, në disa raste i ka kërcënuar edhe me armën e shërbimit.
E ndërsa duhet të jenë garantuesit e ligjit, shumë efektiv policie dyshohet se janë të përfshirë në veprimtari të ndryshme kriminale.
ABC mëson se se rreth 250 oficerë në të gjithë vendin janë nën hetim për vepra të ndryshme penale nga Prokuroria dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.
Rreth 60 prej tyre janë nivel drejtues. Shumica akuzohen se kanë favorizuar kultivimin e kanabisit.
Dy javë më parë, agjentit i krimeve në Policinë e Dibrës, Arbër Sula, me armën e shërbimit vrau 29 vjeçarin Jurgen Duka, pas sherrit se kush do të paguante i pari në market. Efektivi vijon të jetë ende në kërkim.
Dy ditë më parë, dy efektivë në Tiranë u pezulluan nga detyra pasi u vunë nën hetim për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Efektivi i rrugores ndryshonte përgjegjësitë e palëve në rast hetimi aksidentesh. Ndërsa kolegia e tij, informonte vjehrrën e oficerit të rrugores për aksionet policore, pasi në lokalin e 53 vjeçares në Memaliaj, ushtrohej prostitucion./abcnews.al