25-vjeçari vret ish të fejuarën dhe familjen e saj

schedule13:34 - 6 Tetor, 2019

schedule 13:34 - 6 Tetor, 2019

Një masakër e vërtetë në Austri, ku një 25-vjeçar ka vrarë me armë zjarri ish të fejuarën e tij, partnerin e saj të ri dhe familjen e saj. Më pas ai është vetëdorëzuar në polici duke deklaruar se kishte vepruar për arsye xhelozie.

Pesë persona janë vrarë mbrëmjen e të shtunës në zonën turistike malore të Austrisë, Kitzbuehel. Nga informacionet e publikuara nga mediat austriake, autori i masakrës është një 25-vjecar i cili është vetëdorëzuar në polici mëngjesin e të dielës. Ai vrau ish të fejuarën e tij për arsye xhelozie dhe më pas ekzekutoi të gjithë familjen e saj.

Mes viktimave të tij, të gjithë të vrarë me armë zjarri, janë ish e fejuara e tij, partneri i saj i ri dhe tre anëtarë të familjes së saj, një burrë dhe tri gra. Krimi ndodhi rreth orës 5:00 të mëngjesit në një vilë të vogël në një zonë të qetë të qytetit malor austriak, jo shumë larg qendrës së skive të frekuentuar nga shumë personazhe të njohura.

Viktima e tij e parë ishte babai i ish të fejuarës, i cili i hapi derën e shtëpisë. Më pas, ai vrau ish të fejuarën, partnerin e ri të saj, nënën dhe vëllain. Kryebashkiaku i qytetit Klaus Uinkler u shpreh i shokuar duke thënë se në qytetin e tij nuk ishte dëgjuar asnjëherë për një tragjedi të tillë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!