Në mbledhjen e Partisë Socialiste në Berat, i deleguari politik për qarkun e Beratit, Blendi Klosi u shpreh se kundërshtarët politik nuk kanë lidership dhe ide konkrete për qytetarët shqiptarë.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e parë të Asamblesë së degës zhvilluar mbrëmjen e djeshme, Klosi komentoi datën e zgjedhjeve, të caktuar tashmë nga Presidenti i Republikës.
Kjo datë sipas tij do të ketë një përballje të madhe jo vetëm për socialistët, por për Shqipërinë.
“Edi Rama do tu kërkojë shqiptarëve mandatin e tretë për të qeverisur Shqipërinë dhe për të vazhduar një numër të madh reformash”, është shprehur ai.
Klosi gjithashtu u ndal edhe tek kundërshtarët politikë të PS, që-sipas tij, në kuadër të mosdakordësisë ndërmjet tyre apo mos zgjedhjes së një lidershipi të vërtetë për të paraqitur në fushatë, akoma s’kanë paraqitur asnjë propozim konkret apo ide se çfarë ata do ti propozojnë shqiptarëve në 25 Prill.
Po ashtu ai ka theksuar se kundërshtarët politik, siç ai i quan, premtojnë se do të fitojnë për faktin se Partia Socialiste ka 8-vjet në pushtet dhe duhet rrotacion.
Duke deklaruar se,në 8-vite qeverisje Partia Socialiste u ka shërbyer shqiptarëve pa ndarje partiake, Klosi tha se 25 Prilli do të jetë një përballje me një force politike që përfaqëson shumicën e shqiptarëve siç është PS dhe që është me struktura të organizuara në qytet e fshat.
Sipas Klosit-Berati është një qytet i transformuar në të gjitha dimensionet e tij, i shndërruar në një destinacion të vërtetë turistik, një qytet që prodhon jo vetëm turizëm por edhe një ekonomi të madhe rurale dhe një qytet që është kthyer në një kantier ndërtimi falë qeverisjes socialiste.
Sakaq ai deklaroi se socilistët kanë bërë edhe gabimet e tyre, por në asnjë rast dhe në asnjë moment,- tha ai qeverisja socialiste nuk i ka ndarë shqiptarët në të majtë apo të djathtë.
/abcnews.al/