Në lidhje direkte për ABC e Mëngjesit, regjisorja Driada Dervishi ka folur për shfaqjen e saj më të fundit “24 orë nga jeta e një votuesi”, e cila ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar. Një komedi satirë-kabare, e frymëzuar nga krijimtaria e Naun Shundit dhe Teodor Kekos, që ndërthur humorin, muzikën dhe ironinë politike.
Në qendër të shfaqjes është votuesi dhe jeta e tij përgjatë 24 orëve vendimtare, një ditë që simbolizon vite të tëra zgjedhjesh, zhgënjimesh dhe pasojash. Përmes satirës, shfaqja shtron pyetjen thelbësore: sa vite fshihen pas një vote?
Driada Dervishi thekson se humori shërben si mjet për të hyrë në ndërgjegjen e publikut dhe për ta ballafaquar atë me përgjegjësinë personale. Në role kryesore janë Arben Derhemi dhe Zamira Kita, ndërsa pjesë e kastit janë edhe Xhuliano Brisku dhe Ermir Hoxhaj. Një kabare që flet me guxim për politikën dhe shoqërinë shqiptare.


