230 minatorë ngujohen në Trepçë, kërkojnë pagën e Tetorit

schedule14:20 - 19 Nëntor, 2020

schedule 14:20 - 19 Nëntor, 2020

Mbi 80 minatorë janë ngujuar në horizontin e 10-të të minierës “Trepça”, mbrëmjen e së mërkurës.

Ndërsa gjatë ditës atyre iu janë bashkuar dhe 150 kolegë. Ata kanë bërë të qartë se do të qëndrojnë aty deri sa të marrin pagat e muajit tetor.

Lajmi u konfirmua nga kryetari i Sindikatës së Punëtoreve të “Trepçës”, Gani Osmani.

Osmani tha për mediat në vend se deri tani minatorët e ngujuar nuk i ka kontaktuar askush nga Qeveria në Prishtinë. Minatorët këmbëngulin se as nuk do të dalin dhe as nuk do të punojnë deri sa të marrin pagat e tyre.

Kryetari i sindikatës theksoi se ata do të dalin vetëm kur në telefonat e tyre do të mbërrijnë mesazhi nga banka për hedhjen e pagës në llogaritë përkatëse.

Një pjesë e minatorëve janë mbi 60-vjeç dhe gjendja shëndetësore nuk është shumë e mirë, duke shtuar dhe gjendjen emocionale të trazuar për shkak se askush nuk ka kontaktuar ende me ata.

Një javë më parë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, së bashku me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, zëvendësministrin e Financave, Agim Krasniqi si dhe përfaqësuesit e Bordit të përkohshëm të “Trepçës”, mbajti një konferencë shtypi, në të cilën bëri të ditur ndarjen e 1.1 milionë eurove për ndërmarrjen “Trepça”./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!