2,200 emigrantë kanë mbërritur gjatë kësaj fundjave në ishujt autonom të Spanjës. Presidenti i Ishujve Kanarie, Angel Viktor Torre ka kërkuar ndihmë urgjente nga qeveria Spanjolle dhe Bashkimi Europian për të përballuar situatën, raporton The Guardian.
Torre tha se infrastruktura aktuale e vendit nuk mund të përballojë refugjatë e jashtëligjshëm që mbërrijnë nga Atlantiku. Presidenti i rajonit tha se 2,188 persona kanë arritur në ishull gjatë fundjavës së kaluar dhe janë strehuar në kampe të improvizuara në Gran Kanaria.
Gjatë një konference për migracionin, Komisioneria e Këshillit Europian për punët e Brendshme, Ylva Johansson premtoi një fond të jashtëzakonshëm për të menaxhuar situatën që është përkeqësuar më shumë për shkak të Covid. Por presidenti kërkoi masa të menjëhershëm dhe jo vetëm premtime boshe. “Ne nuk jemi në fazë planifikimi , jemi në fazë reagimi”- tha Torres.
Sipas Organizatës ndërkombëtare të Migracionit deri më tani gjatë këtij viti, më shumë se 11 mijë persona kanë mbërritur në Kanarie përmes detit. Ndërkohë afro 414 emigrantë kanë ndërruar jetë këtë vit, në përpjekje për të kaluar kufirin. 140 persona vdiqën muajin e kaluar pasi një varke me 200 refugjatë mori flakë në bregdetin e Senegalit.
Shoqatat jo qeveritare kërkuan nga autoritetet që të identifikojnë, ndihmojnë dhe mbrojnë personat të cilët kërkojnë azil si dhe ata që kthehen pasi mund të jenë të rrezikuar në vendet e tyre./abcnews.al

