Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Gjërat Tona/ “21 Janari” – Urdhri i padukshëm

schedule20:55 - 23 Nëntor, 2025

schedule 20:55 - 23 Nëntor, 2025

Ka disa momente kur historia nuk shkruhet në libra, por në gjakun e njerëzve të zakonshëm.

21 janari 2011 ishte një ditë e tillë.

Katër qytetarë, katër jetë të pafajshme, u shuan në bulevardin e kryeqytetit, nga tytat e armëve të shtetit të tyre.

Vrasja e Aleks Nikës, Hekuran Dedës, Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt do të hapte një plagë që prej gati 15 vitesh nuk po shërohet. Dhe sot, më shumë se kurrë, ajo plagë kërkon të flasë.

Jo më për ata që qëlluan, por për ata që urdhëruan.

Dilema 15-vjeçare për 4 vrasjet e ndodhura para Kryeministrisë, duket se më në fund mund të marrë përgjigje. SPAK pas disa hezitimesh, më 12 mars 2024 u urdhërua nga Gjykata e Lartë që të regjistrojë procedim penal.

Urdhër që e vuri në zbatim shumë shpejt. Më 23 tetor 2024 nisi marrja në pyetje e zinxhirit të Policisë së Shtetit. Duke nisur me ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendin, Hysni Burgajn, që në atë kohë ishte drejtor i Përgjithshëm i Policisë dhe zëvendësin e tij Agron Kuliçaj. Hetimet shkuan edhe më lart, kur u thirrën për t’u marrë në pyetje ata që nuk kishin dëshmuar kurrë për  “21 janarin”. I pari Lulzim Basha, në cilësinë e ish-ministrit të Brendshëm dhe i dyti Sali Berisha, në cilësinë e Kryeministrit.

Grupi i hetimit të posaçëm drejtuar nga prokurori Alfred Shehu kërkoi çdo material që disponon Prokuroria e Tiranës, përfshirë nëse ka pasur apo jo urdhër ndalime të tjera për 4 vrasjet në bulevard dhe dokumentet që lidhen me planin e masave, shoqërimet e protestuesve.

 

VITET E HESHTJES

Ndonjëherë drejtësia nuk është e verbër, por është e shurdhët. Të paktën kështu dukej.

Hetimi u mbyll. U rihap. U mbyll sërish. Prova që zhdukeshin. Dëshmitarë që nuk flisnin. Urdhra që askush nuk i merrte përsipër.

U dënuan dy gardistë. Por jo ata që morën vendimet. Jo ata që dhanë urdhrat.

Në sytë e familjarëve ishte sikur shteti po i vriste dy herë. Herën e parë me plumba. Herën e dytë me heshtje.

Në kërkim të drejtësisë, familja e Aleks Nikës nuk u dorëzua. Ata sollën prova të reja, analiza të thelluara, ekspertiza balistike, dëshmi që tregonin se plumbi që vrau Aleksin nuk kishte ardhur rastësisht. Dhe as vetvetiu.

Në heshtjen e tyre të gjatë, këto prova ishin si një dorë që troket fort në derën e drejtësisë. Dhe kësaj radhe dera u hap.

SPAK e rihapi dosjen. Dhe për herë të parë, duket se askush nuk është më i paprekshëm. Një nga një u thirrën: Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së kohës, zëvendësi i tij, ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.

Të gjithë dhanë versionin e tyre. Por tashmë në duart e prokurorëve të Posaçëm është edhe dëshmia e fundit. Ajo që për 15 vite ka qenë enigma më e madhe. Dëshmia e ish-kryeministrit të asaj kohe, Sali Berisha.

Pas një loje disa ditore me fletë-thirrjen e SPAK, që në fakt ia kishte dërguar në tri adresa, Berisha duket se u bind që t’i përgjigjej thirrjes së SPAK për të dëshmuar vetëm më 17 nëntor 2025, ku ishte paraqitur në zbatim të masës “detyrim paraqitje”.

Me 19 nëntor 2025 ai u paraqit në SPAK për të dhënë përgjigje. Jo vetëm para kamerave, por para drejtësisë.

E kur u përgjigj për dy orë në zyrën e prokurorit, në dalje iu drejtua edhe kamerave. Megjithëse dukshëm ndryshe nga kur hyri. Sipas tij nuk është dhënë asnjë urdhër nga Kryeministria për të qëlluar me armë ndaj tyre. Madje thotë se ministri i Brendshëm i kohës, Lulzim Basha ka shkuar në zyrën e tij së bashku me komandantin e Gardës dhe i kërkuan të evakuohej, por ai qëndroi në zyrë.

 

Sali Berisha

Garda ka një ligj, i cili ligj autorizon rojën të qëllojë sa herë dikush e kërcënon me ndonjë objekt, apo ndonjë gjë.  Të qëllojë në ajër, kur ajo përsëritet, të qëllojë te këmbët, kur ajo përsëritet ta eliminojë rrezikun.  Ky ligj është votuar nga PS-ja, jo nga ne. Garda që ta mësoni ju, dhe mund të rrëmoni 120 mijë herë, nuk funksionon me urdhër, po me ligj. Pra, sado që ta ktheni apo stërktheni, Garda apo çdo vendroje e armatosur funksion me ligj. E qëllove, gjuajtje drejt tij, duhet të qëllojë në ajër.  Vazhdove persistove, duhet të qëllojë tek këmbët, vazhdove persistove, duhet të eliminojë rrezikun. Këtë i thotë ligji i Gardës. Absolutisht asnjë urdhër. Asnjë urdhër nuk është dhënë për të qëlluar. Asnjë urdhër dhe kurrë. Nuk mund të jepet urdhër. Për vrasjet duhet të ketë hetime. Thashë edhe njëherë. Por që kur përdorin dhunën, ka edhe plagosje, ka edhe vrasje, kjo është e pamohueshme

 

Një nga provat thelbësore që është dorëzuar në SPAK nga familja e Aleks Nikës, është një audio regjistrim. Në këtë material dëgjohet një komunikim në radio që ka ndodhur para vrasjes së protestuesve. Nga komunikimet kuptohet që komandantit të Gardës i është kërkuar të hyjë në Kryeministri. Pasi ka dalë nga aty ka nisur komunikimi në radio.  Zëri nuk është shumë i qartë, megjithatë ka sekuenca që mund të kuptohen.

Por Berisha e hodhi poshtë edhe këtë provë, duke pretenduar se është e manipuluar, pasi sipas tij sot mund të manipulohet zëri i kujtdo.

 

Sali Berisha

Të falsifikosh një zë është gjëja më e thjeshtë. Janë imituar në autenticitet të plotë jo zëra të njerëzve të thjeshtë, por gjer të presidentë të SHBA, të Obamës. Një urdhër i dalë pas 13 vitesh. Si mund të besoj unë një audio të dorëzuar pas 12 vitesh, është zero, është njësoj si shiriti i Metës.

Në një deklaratë para se të merrej në pyetje për 21 janarin në SPAK, Berisha u shpreh se Kryeministria nuk ka pasur asnjëherë server, pasi sipas tij serverin e ka pasur Garda.

 

Ervin Karanxha, ish-prokurori i çështjes

Serveri i kamerave është formatuar dy herë në mënyrë të atillë që nuk bëhej më. Pra nuk mund të merreshin më të dhëna. Është bërë një kopjim, që është marrë ajo video që kishte dhe është formatuar dhe nuk kishte më asnjë mundësi. Është marrë një kopje…

 

 

E kur provat mund të fshihen edhe brenda ditës, çfarë mund të ndodhë për 15 vjet.

 

Ervin Karanxha, ish-prokurori i çështjes

Veprimet që po kryhen, duhet të ishin kryer që para 15 vitesh. Duhet parë, edhe ky fakt duhet të verifikohet nga SPAK-u. Pse u mbajt kjo çështje frenato? Edhe të pyetet edhe prokurorja e Përgjithshme, pse nuk e ke hetuar. Sepse kemi një nen të ligjit për Gardën. Ju e keni parasysh, Garda funksionon në mënyrë vertikale. Është e centralizuar. Ka një rast që mund të bëhet nga punonjësi i Gardës kur është në kushtet e një rreziku real, të çastit, aty për aty dhe s’ka urdhër. Është tek për tek dhe ai nuk do presë urdhrin. Është në rastet e mbrojtjes së nevojshme. Por edhe me urdhër, prapë gjithçka rrotullohet tek mbrojtja e nevojshme. Pra kur sulmohesh, shihet proporcionaliteti, rreziku i sulmit, etj., pra vlerësohet  në tërësi. Marrja e jetës është e fundit.

 

Megjithatë kjo është faza e marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe personave që kanë dijeni për ngjarjen. Ballafaqimi me provat e reja të Prokurorisë së Posaçme, në vijim mund të ngrihen edhe akuza.

 

Ervin Karanxha, ish-prokuror i çështjes

Po shoh që po merren prova me intensitet. Janë pyetur shumë persona, mendoj se do kemi një përfundim. Tani te fletëthirrja, çfarë ka dalë në media që e kanë nxjerrë vetë ata, dalin dy vepra penale të parashkruara. Shpërdorimi i detyrës, që është bërë pasi ka ndodhur në 2011-ën, del edhe një vepër tjetër që është veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kemi të bëjmë me hetim të thelluar. Pra nuk është hetim sipërfaqësor, por shihen çfarë veprimesh, ku ka çaluar e ku s’ka çaluar. Jemi në pritje të një përfundimi. Edhe e rrezikshme, neni 79 është, që ngjarja është e rrezikshme për jetën e shumë personave. Është e vërtetë që aty është rrezikuar jeta e shumë qytetarëve. Pavarësisht se vepra është parashkruar, sepse shumë shpesh Prokuroria i bie shkurt, është parashkruar dhe e çon me nenin 66 për pushim. Edhe veprat penale të parashkruara, qoftë dhe për falsifikim, duhet t’i shkohet deri në fund. Populli shqiptar duhet të dijë, kush ka shpërdoruar detyrën atë ditë. Kush ka shkelur ligjin. Kush ka falsifikuar. Këta njerëz nuk kanë moral.

 

 

MINUTAT E ERRËSIRËS

Makina të përmbysura e të përfshira nga flakët. Tym i zi benzine e nafte që të bllokon frymëmarrjen. Gaz lotsjellës, bomba molotov, granata gazi që për pak çaste të bëjnë të humbasësh shikimin.

Njerëz që vrapojnë me maska në gojë dhe që nuk dinë çfarë bëjnë vetëm bërtasin, gjuajmë ne gurë e shkopinj forcat e policisë të vendosura rreth godinës së Këshillit të Ministrave. Të rinj, të moshuar madje edhe shumë policë të gjakosur që mbajnë plagët me duar. Të tjerë të asfiksuar që transportohen drejt ambulancave.

Një panoramë që të krijon idenë e një arene lufte, por në fakt gjithçka ndodhi në qendër të Shqipërisë, në mes të Tiranës, para selisë së Kryeministrisë.

Protesta nisi si një thirrje politike, por shpejt u kthye në britmë popullore. Njerëz që kërkonin dinjitet, drejtësi, llogari. Asgjë më shumë. Asgjë më pak.

Por përballë tyre qëndronte Garda e Republikës, e armatosur, e ngurtë, e urdhëruar. Në ajër ndjehej frikë. Frikë dhe një energji e panjohur që po rritej.

Dhe pastaj… krisma. Katër jetë u prenë brenda pak minutash.

Nuk ishin vandalë. Nuk ishin armiq. Ishin qytetarë të pafajshëm.

 

Ervin Karanxha, ish-prokuror i çështjes

Është bërë këqyrje e anës veriore të Kryeministrisë dhe konkretisht po të kemi parasysh, është gardhi metalik në pjesën e brendshme. Aty me prokurorët e tjerë që kemi bërë këqyrje, kemi konstatuar një serë gëzhojash të qitura nga armë zjarri. Siç e kujtoj, një prokuror, Adriatik Cama, ka qenë tek autopsia e viktimave, unë kam qenë te sektori i vrasjeve. Ai na informon se duhej të kishim parasysh, të ishim më tepër në kërkim të gëzhojave të kalibrit 9 milimetër, sepse ato lidhen me ngjarje. Pra ato e kanë forcën më të vogël se Kallashnikovi, por është i madh si kalibër. Kallashnikovi ose AK47 e ka kalibrin 7.62. Kemi bërë këqyrje dhe kemi gjetur 117 gëzhoja të qitura nga 5 armë zjarri, që i korrespondonin grupit të zjarrit. Këto kanë qenë veprime e para, kemi bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Deri këtu nuk ka pasur ndonjë problem.

 

Që historia kishte të fshehta dhe që Prokuroria po pretendonte ta zbardhte në atë kohë, ishte fakti që u mor i pandehur shefi i IT-së në Kryeministri, Armando Kasa. Ai akuzohej se kishte fshirë pamjet e vrasjeve të 21 janarit nga serveri i kamerave të sigurisë. Përfaqësuesi i akuzës në atë hetim, Ndini Tavani, duke lexuar konkluzionet përfundimtare ndaj Kasës, ndër të tjera u mbështet edhe tek ekspertiza e FBI-së, e cila përcaktoi se këto filmime ishin fshirë. Prokurori theksoi se nga 16 kamera, që ndodheshin në objektin e Kryeministrisë, 11 prej tyre ishin në gjendje pune, me shpejtësi 25 pamje në sekondë për secilin kanal.  Këto regjistrime nuk iu vunë në dispozicion organit të hetimit, pasi Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, nëpërmjet një letërkëmbimi me Prokurorinë, pohonte se kamerat nuk punonin që prej 2009-s. Fshehja, fshirja dhe manipulimi i provave nisi menjëherë pasi përfundoi protesta. Fillimisht me pastrimin e sheshit para Kryeministrisë nga vetë punonjësit e këtij institucioni, para se ky shesh të rrethohej si skenë krimi.

Manipulimi i fakteve nisi nga vetë kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha. Në daljen e parë publike pas vrasjes së 4 qytetarëve, Berisha u përpoq të bënte përgjegjës protestuesit.

Sali Berisha: “Të dhënat paraprake të ekspertëve dhe të mjekëve të reanimacionit, është se ata janë gjuajtur nga afër me armë të lehta”.

Manipulimi u zhvendos më pas në Spitalin Ushtarak, ku mjekët u urdhëruan që të mbështesnin versionin e kryeministrit, duke thënë se qytetarët ishin qëlluar nga afër me armë të kalibrit të vogël.

Mjeku:Dukeshin plagë të vogla që shkonin për armë zjarri nga distancë… e afërt”.

Kur ky skenar nisi të rrëzohej nga pamjet e publikuara në media, nisi të vihej në jetë skenari tjetër. Fillimisht sulmi ndaj kryeprokurores së asaj kohe, Ina Rama dhe presidentit Bamir Topi e më pas ndaj gazetarëve që po publikonin fakte.

Në ditët e nxehta pas 4 vrasjeve, lufta e parë që qeveria i shpalli Prokurorisë, përveç fshirjes së gjurmëve të krimit, ishte refuzimi për të dorëzuar 6 gardistët për të cilët ishte firmosur urdhër-arresti. Faktet nisën të dalin në dritë ditë pas dite, por sa më shumë shtoheshin faktet, aq më shumë shtoheshin edhe hipotezat dhe interpretimet shtetërorë për t’i rrëzuar. Në fillim duke thënë se gardistët nuk kishin marrë urdhër për të qëlluar, por qëlluan me vullnetin e tyre. Më pas, ekspertë kriminalistë, nisën të mbështesin teorinë se vrasjet ishin kryer nga plumba rikoshetë.  Në këtë formë, qartazi, po përdorej gjithçka për të fshehur të vërtetën.  Në një lojë të gjatë gjyqësore, drejtësia shpalli fajtor gjeneralin Ndrea Prendi dhe shefin e Operacionales së Gardës, Agim Llupo, duke i dënuar minimalisht.

Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin e Ndrea Prendit me 23 vjet burg dhe të Agim Llupos me 25 vjet burg, duke i akuzuar për vrasje me paramendim. Ndërsa Gjykata rrëzoi organin e akuzës, duke ndryshuar edhe akuzat.  Në përnfudim, Ndrea Prendi u dënua me 1 vit burg dhe Agim Llupo me 3 vjet burg, për akuzën “vrasje nga pakujdesia”.  Ata u shpallën fajtorë vetëm për vrasjet e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit.  Gjyqësori shqiptar ka njohur si viktimë të pestë të 21 janarit edhe djalin e Faik Myrtajt , 22-vjeçarin Bardhosh Myrtajn. Ai u vetëvra 3 muaj pas ngjarjes ku humbi jetën i ati. Gjykata Administrative tha se ai ishte viktimë e ngjarjes tragjike, pasi nuk arriti dot të përballonte vrasjen e të atit dhe ka qenë nën efektin e zisë patologjike.

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në bashkëpunim me punonjës së zyrës së OSBE në Tiranë, kanë hartuar një raport të detajuar prej 46 faqesh, pasi kanë inspektuar Policisë së Shtetit në lidhje me menaxhimin e demonstratës së 21 janarit 2011. Hetim është pasqyruar i detajuar në raportin e majit të vitit 2011, ku janë përmendur të gjitha shkeljet e kryera nga forcat e policisë, mosfunksionimi siç duhet i planit të masave, por nuk është përmendur në asnjë rast momenti i vrasjes së 4 qytetarëve. Inspektimi i kryer u zhvillua duke u bazuar në mbledhjen e informacionit nëpërmjet intervistave të zhvilluara me punonjës të Policisë së Shtetit, të nivelit drejtues dhe zbatues dhe verifikimin e procedurave te ndjekura nga strukturat e Policisë. Për kryerjen e hetimeve janë administruar, këqyrur dhe vlerësuar dokumentacioni i vënë në dispozicion nga Policia e Shtetit. Gjithashtu janë përdorur pamje filmike të transmetuara nga mediat, intervistime me punonjës të strukturës policore të niveleve të ndryshme, fotografi dhe intervistime me qytetarë.

Raporti i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm ishte ndarë në 7 pjesë kryesore: Masat paraprake organizative, përshkrimi i ngjarjes, intervistimet, masat pas protestës, konkluzionet, rekomandimet dhe fotot përshkruese. Ajo çka bie në sy gjatë shtatë pjesëve të këtij raporti, është fakti se në asnjë paragraf të tij nuk është përmendur momenti i vrasjes së katër qytetarëve gjatë demonstratës. Janë përshkruar me hollësi dhe minutë pas minute momentet kur turma ka sulmuar policinë me sende të forta. Urdhrat e dhënë nga drejtuesit për përdorimin e gazit lotsjellës, makinës me ujë dhe një tjetër urdhër për përdorimin e një helikopteri për hedhjen e lëndëve lakrimogjene mbi protestuesit. Ndërsa rezulton të jetë dhënë edhe një urdhër për t’u njoftuar Garda e Republikës që të mos qëllojë më me armë, pasi turma po tërhiqet drejt selisë së Partisë Socialiste, ndërkohë që në raport nuk citohet momenti kur është dhënë urdhri për të qëlluar me armë. Katër qytetarët e vrarë gjatë demonstratës, përmenden vetëm si shifër, në tabelën statistikore me pasojat e demonstratës.

Nga konkluzionet përfundimtare të raportit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, rezulton që Policia e Shtetit nuk ka qenë e përgatitur për demonstratën e 21 janarit dhe plani i masave nuk është zbatuar me përpikmëri. Si rezultat i çorganizimit të forcave të policisë edhe godina e Kryeministrisë mbeti e pambuluar nga forcat e rendit për rreth 45 minuta. Grupi i punës që ka hartuar raportin përfundimtar, ka arritur në përfundimin se gabimet e forcave të policisë gjatë protestës kanë nisur që me orarin e vënies në zbatim të planit të masave. Rezulton që forcat e policisë janë angazhuar për demonstratën, në vendin ku ishte lajmëruar 3 orë para se të fillonte, gjë që ka sjellë lodhjen e efektivave të rendit e më pas çorganizimin e tyre. Plani i masave të policisë ka dalë jashtë kontrollit që pas orës 14:20, kur përpara godinës së Kryeministrisë, një grup prej 300 – 350 demonstruesish, kanë filluar të godasin me shkopinj dhe sende të forta, policët e vendosur në kordon, që ishin të pa pajisur me mjete mbrojtëse. Forcat FNSH janë afruar, por nuk janë futur në veprim, duke qëndruar në gatishmëri. Për rreth 35–40 minuta, protestuesit kanë vazhduar dhunën ndaj punonjësve të policisë. Janë bërë thirrje me megafon nga drejtuesit e Policisë, por sipas SHKB është konstatuar se në këtë fazë nuk janë kryer komunikime të vazhdueshme nga drejtuesit e Policisë së Shtetit me organizatorët e tubimit.

Pas çarjes së kordonit të policisë nga turma për të depërtuar tek godina e Kryeministrisë, është dhënë urdhër nga drejtuesi i shërbimit që të fillojë hedhjen e granatave të dorës me gaz lostjellës “CN”. Janë përdorur veç granatave edhe shotganët 12 mm dhe 40 mm me gaz “CN”, për shpërndarjen e demonstruesve që ishin më aktiv në ushtrimin e dhunës ndaj punonjësve të policisë.

Raporti i SHKB: Ky veprim ka rezultuar jo shumë efektiv, për shkak të mosllogaritjes së drejtimit të erës, e cila frynte me drejtim perëndim – lindje dhe gazi “CN” i hedhur në drejtim të demonstruesve, kthehej në vendin e dislokimit të forcave të policisë dhe FNSH-së, të cilët ranë nën efektin e këtij gazi për arsye të mos pajisjes së tyre me kundragaz.

Edhe pas përdorimit të lëndëve kimike, një pjesë e grupit të demonstruesve vazhdonte të godiste punonjësit e policisë dhe në këtë moment hynë në veprim dy automjete ujëhedhës.

Raporti i SHKB: Automjetet ujëhedhës nuk u shoqëruan me punonjës policie, për arsye të angazhimit të gjithë forcave policore në ruajtjen e godinës së Kryeministrisë, dhe rënies nën efektin e lëndëve lakrimogjene. Ky veprim bie në kundërshtim me procedurat standarde të punës për rendin dhe sigurinë publike, e cila parashikon shoqërimin e automjeteve ujëhedhës me forca policore.

Sipas raportit, nga pamjet vizive konstatohet që, porta Nr. 1 e godinës së Kryeministrisë për rreth 45 minuta, nuk ka qenë mbuluar me forca policore, për shkak të çorganizimit të tyre. Por nga ana tjetër, duket se ka pasur informacion 3 ditë para demostratës se më 21 Janar do të kishte incidente.

Raporti i SHKB: Drejtoria e Policisë së Tiranës më 18 janar 2011, ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë se, nga organizatorët dhe përkrahësit e Partisë Socialiste do goditet me mjete të forta, si gurrë, vezë, në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Në miting do të marrin pjesë militantë të dhunshëm nga rrethet, të cilët kanë tendenca për të krijuar trazira gjatë mitingut. Më problematikët do të jenë ata të ardhur nga rrethet Shkodër, Laç, Mamurras, Fier, Berat dhe Vlorë. Gjatë mitingut do të vendosen në mes të protestuesve në vende të ndryshme makina të vjetra, të cilat do të digjen. Gjithashtu, do të bëhet bllokimi i bulevardit duke hedhur plehra me makina si dhe do të shkatërrohen mjetet e drejtuesve të ministrive të ndryshme.

 

ZËRI I EUROPËS

Dhe kur vendi nuk gjeti dot guximin të përballej me të vërtetën, zëri erdhi nga jashtë.

Gjykata e Strasburgut foli qartë: Përdorimi i forcës ishte i pajustifikuar. Përdorimi i armëve ishte i paligjshëm. Dhe 21 janari ishte përgjegjësi e shtetit shqiptar.

Kjo ishte hera e parë që dikush e tha zëshëm: Ishte krim. Një krim shtetëror.

Vendimi i Gjykatës së Strasburgut, i publikuar më 14 nëntor të vitit 2023 zgjoi shpresat e të gjithëve për një drejtësi, që sado e vonuar të jetë, një ditë do të vihet në vend.  Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, në vendim e zbardhur për vrasjen e Aleks Nikës, në protestën e 21 Janarit, ka bërë përgjegjës shtetin shqiptar, si për vrasjen, ashtu edhe për mos zbardhjen e saj dhe ndëshkimin e autorëve. Sipas Gjykatës, shteti dështoi në kontrollimin e protestës dhe oficerët e Gardës së Republikës, përdorën armët e zjarrit duke vrarë 4 persona, përfshirë dhe Aleks Nikën. Në të njëjtin vendim thuhet se, Gjykatat nuk saktësuan nëse përdorimi i armëve për të shpërndarë protestuesit, ishte mundësia e fundit për gardistët.

Gjykata e Strasburgut: Proceset kombëtare nuk shqyrtuan nëse forcat e sigurisë mund të kishin përdorur mjete të tjera, jo vdekjeprurëse, për kontrollin e turmave, të cilat në ditën e ngjarjeve ishin përdorur shumë pak dhe kjo për motive që nuk janë shpjeguar nga autoritetet.

Në vendim, Gjykata e të Drejtave të Njeriut thotë se, zyra e Kryeministrisë, që në atë kohë drejtohej nga Sali Berisha, nuk ofroi të gjitha video incizimet, ose Prokuroria dështoi të sekuestrojë regjistrimet, që do të ishin provë e vlefshme për hetimin.

Gjykata e Strasburgut: Çështja e përgjegjësisë së mundshme të zinxhirit komandues nuk ishte zbardhur nga hetimi përkatës, i cili ishte përqendruar në përgjegjësinë individuale të oficerëve të Gardës dhe jo në sekuencën apo natyrën e urdhrave që mund të ishin dhënë nga zinxhiri komandues i Gardës.

Nga ana tjetër, janë gjetur edhe mangësi të tjera në shqyrtimin e dosjes hetimore nga drejtësia shqiptare.

Gjykata e Strasburgut: Kishte pasur gjithashtu edhe një serë mangësish të tjera në hetim, duke përfshirë fshirjen e videoregjistrimit të indicentit dhe mos ndjekjen e disa pistave kyçe të hetimit, si shenjat e plumbave të gjetura në lartësinë e njeriut në gardhin e hekurt që rrethon Kryeministrinë.

Këto mangësi nga ana e organeve hetimore shqiptare, sipas vendimit të Strasburgut, ngrenë dyshimet se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin në hetim padrejtësisht. Në fund, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut sugjeron se, autoritetet duhet të vazhdojnë hetimet për zbardhjen ne rrethanave të vdekjes së Aleks Nikës dhe identifikimin e ndëshkimin e përgjegjësve.

Gjykata e Strasburgut ishte vënë në lëvizje pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës. Dosja për vrasjen e tij po hetohet prej tri vitesh nga Prokuroria e Tiranës që nuk ka dalë ende në një përfundim për autorësinë e krimit.

Ndërsa më 12 mars të vitit 2024, Gjykata e Lartë, me trupë gjykuese Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni vendosi:

“Ndryshimin e vendimit nr. 92, datë 21.06.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe vendimit nr. 107, datë 29.03.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar – gjyqtarit për hetimet paraprake pranë asaj gjykate dhe zgjidhjen përfundimisht të çështjes, duke urdhëruar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për të regjistruar procedimin penal për kallëzimin e datës 16.02.2023″.

 

 

SI U SHMANGËN DËSHMITARËT

Përveç provave që u manipuluan e të tjerave që nuk o konsideruan, hetuesit e kohës duket se shmangën edhe dëshmitë e gjalla të asaj kohë. I tillë ishte edhe gazetari Fatos Mahmutaj, i cili mbeti i plagosur në demostratën e 21 janarit.

Ai thotë se ka dëshmuar në Prokurori lidhur me ngjarjen e 21 Janarit duke zbuluar se përveç Agim Llupos, nga tarraca e Kryeministrisë ka qëlluar edhe shefi i sigurisë.

Fatos Mahmutaj: Në të njëjtin moment janë qëlluar pothuajse të gjithë. Intervalet janë pothuajse pak sekonda nga njëri-tjetri. Unë i kam parë dy personat që kanë identifikuar, më vonë i kam identifikuar. Agim Llupo ishte me maskë, plus nuk e njihte njeri.

Fatos Mahmutaj tregon edhe se si është marrë nëpër këmbë nga Mjekësia Ligjore shqiptare që e refuzoi dhe më pas u detyrua të telefononte një nga prokurorët. Ndërsa thotë se ekspertizën e ka bërë privatisht në Belgjikë.

Fatos Mahmutaj: Dëshmia ime nuk marrë asnjëherë. Për ironi të fatit shkova në mjekësinë ligjore, sepse prokuroria më orientojë për të bërë ekspertizën dhe shefja më tha që ti duhet të jesh goditur në shtëpi. E nxora telefonin dhe mora një nga prokurorët i tregova dhe më tha hajde të bësh kallëzimin penal. Shkova në zyrën e tij dhe më tha nuk kam vizore. Nuk kam aparat fotografik dhe ia nxora vetë. Unë e kam bërë në Belgjikë ekspertizën pak kohë më pas, por nuk e di sa vlen.

Në përkujtimoren e 21 Janarit, Prokuroria e Tiranës shpërndau një deklaratë duke thënë se është duke kryer veprimet hetimore në lidhje me procedimin penal Nr.285 të vitit 2011, i rifilluar, aktet e të cilit bëjnë fjalë për ngjarjen e ndodhur më datën 21 janar 2011, gjatë së cilës kanë gjetur vdekjen shtetasit Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.

Prokuroria thotë se, në funksion të hetimeve të zhvilluara nga ana e policisë gjyqësore janë kryer të gjithë veprimet e nevojshme hetimore, por nuk është bërë e mundur që të identifikohet se cilët janë personat që kanë vrarë Aleks Nikën dhe Hekuran Dedën. As personat që kanë plagosur gazetarin Fatos Mahmutaj dhe qytetarët Sokrat Gode, Erald Bisha, Artes Dybeli, Ilia Qesko e Ilia Papa. Në kushtet kur ishin kryer të gjitha veprimet e mundshme hetimore dhe autori i veprës penale nuk njihet, me vendim të datës 28 shkurt 2020, prej prokurorëve të çështjes është vendosur që hetimet të pezullohen duke i kaluar aktet e procedimit penal, për ndjekje të mëtejshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

 

Ervin Karanxha, ish-prokuror i çështjes

Pamjet e kamerave të sigurisë e kanë ndihmuar shumë grupin hetimor. Ata ishin në tërheqje. Ka qenë në një moment që përdorimi i armëve të zjarrit ka qenë në kundërshtim me ligjin për armët e zjarrit. Por duhet të kemi parasysh që edhe në ligjin për armët e zjarrit gjithçka rrotullohet tek neni 19 i Kodit Penal, ai është baza, që duhet të veprohet në kufijtë e mbrojtjes së nevojshme. Pra që duhet të kesh një sulm të padrejtë, të vërtetë dhe të çastit dhe ti me mjetet proporcionale, kur është objekti i rëndësisë së veçantë shihet rast pas rasti.

Prokuroria e Përgjithshme duhet të regjistronte procedim penal në Prokurorinë e Përgjithshme. Sepse në kohën që ka qenë, në bazë të nenit 141 të Kushtetutës, kompetente për të hetuar zyrtarët e lartë ka qenë Prokuroria e Përgjithshme. Me ndryshimet e fundit kushtetuese sot i ka SPAK-u. Është njësoj sikur SPAK-u sot të mos bëjë detyrën, t’i çojë zyrtarët në prokuroritë e rretheve. Pse nuk është marrë përsipër, është detyrë që ta sqarojë Ina Rama.

 

Ky dokumentar nuk kërkon të gjykojë. Por të pyesë. Sepse pyetjet që nuk marrin përgjigje janë ato që dhembin më shumë.

Kush e dha urdhrin? Kush autorizoi përdorimin e armëve? Kush vendosi që tytat të drejtoheshin nga populli?

Nëse përgjigjet gjenden, atëherë Shqipëria do përballet me një të vërtetë të rëndë: Më 21 janar 2011 shteti u kthye kundër qytetarëve të vet.

Për familjet, drejtësia nuk është fjalë. Është njeriu i tyre që nuk u kthye më kurrë.

Ka momente kur një vend duhet të vendosë: Të jetojë me plagën, apo ta shërojë atë.

“21 janari” nuk është histori e vjetër. Është histori e pambyllur.

Dhe 19 nëntori 2025 mund të jetë dita kur e vërteta fillon të flasë.

Jo për të kthyer jetët që u morën.

Por për të mos lejuar kurrë më që shteti të marrë jetë të tjera të pafajshmish.

Mbi gjakun e katër qytetarëve të zakonshëm sot ndërtohet guximi i një drejtësie të re.

Ky është rrëfimi i së vërtetës që nuk mund të varroset.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!