21 janari “thërret” Gon Kuliçajn/ “Duhet hetim shterues”, juristi: Edhe Basha do merret në pyetje si ish-ministër i Brendshëm

schedule18:33 - 24 Tetor, 2024

schedule 18:33 - 24 Tetor, 2024

Juristi Indrit Sefa në “Tirana Live” në ABC News foli për çështjen e “21 Janarit”. Këtë të enjte ish-zëvendës Drejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj u paraqit në SPAK.

Gjatë intervistës juristi, Sefa u shpreh se po pyeten të gjithë personat që kanë pasur pozicione drejtuese. Më tej nënvizoi se edhe Lulzim Basha do të merret në pyetje si ish-ministër i Brendshëm.

“Po pyeten dhe do të pyeten të gjithë personat që kanë pasur funksione drejtuese, për ngjarjen e 21 janarit. Mendoj që përveç funksionarëve publikë do të duhet të merren në pyetje edhe personat që organizuan protestën. Ka qenë një nga protestat më të dhunshme që ka pasur në Shqipëri. Zoti Basha ka dhënë disponibilitetin e tij sa herë kërkohet nga Prokuroria e Posaçme dhe në rast se do të ketë një fletëthirrje patjetër që duhet të paraqitet. Kjo është mënyra se si një lidership duhet të përballet me drejtësisë. Prokuroria e Posaçme ka të gjithë mundësitë për të bërë një hetim cilësor dhe shterues dhe të përcaktojë njëherë e përgjithmonë se si është e vërteta e kësaj ngjarje.

Por edhe koha e gjatë që ka kaluar detyron prokurorinë e posaçme që të ketë një ritëm më të shpejtë të hetimeve.

Gjithashtu ai komentoi edhe shtyerjen e seancës për ish-kryeministrin Sali Berisha, ku seanca paraprake u vendos të mbahet më 25 nëntor, pasi avokatët kërkuan më shumë kohë.

Juristi theksoi se avokatët kërkuan më shumë kohë për shkak të dosjes voluminoze.

“Avokatët kërkuan më shumë kohë për t’u përgatitur sepse është një seancë që ka rëndësi. Dhe Ka vlerë procedurale shumë të madhe. Edhe gjykata ka nevojë për kohën e vet për të studiuar të gjitha aktet. Duke pasur gjithë atë hetim dhe komunikim e akuzës, provat e grumbulluara nga ana e SPAK, mendoj që do kemi një proces gjyqësor maratonë”, tha ai.

/abcnews.al/