“21 Janari”, Basha gati të japë dëshminë/ Elezi: I detyruar të shkojë në SPAK. Muça: Të zbardhë ngjarjen bashkë me ish shefin e IT

schedule23:48 - 24 Korrik, 2024

schedule 23:48 - 24 Korrik, 2024

Ish anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ibsen Elezi thotë se Lulzim Basha është i detyruar të shkojë Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për të dëshmuar lidhur me ngjarjen e ’21 Janarit’.

Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Elezi u shpreh se Basha nuk ka zgjidhje tjetër, teksa shtoi se ai me Berishën, kanë lidhje funksionale.

Ndërsa gazetari Flogert Muça deklaroi se Basha është personi i rëndësishëm, i cili mund të zbardhë ’21 Janarin’.

Ibsen Elezi: Që do shkojë do shkojë, se po nuk shkoi, përfundon në ballkon, s’ka zgjidhje tjetër. Lulzim Basha, ato që thotë nuk i bën, ose nëse i bën, thotë të kundërtën. Në rastin konkret, mendoj se zoti Basha dhe zoti Berisha janë lidhje funksionale e njëri-tjetrit. Nuk je bashkë nga qejfi, por nga halli. Do përballen të gjitha figurat e larta, është sistem i korruptuar. Do përballen me drejtësinë. Kjo frikë i bën bashkë. Kur shohin rrezik, mund të bashkëpunojnë. Berisha ia ka bërë publike ftesën. Nëse bëhet ftesë publike që të bashkohemi, nuk bën sens.

Flogert Muça: Basha dhe Berisha janë pazgjidhshmërisht me njëri-tjetrin. Ajo që i bashkon, është më shumë se ajo që i ndan. I ka lënë fushë të lirë doktorit. Loja tanimë është dekonspiruar. Ata janë bashkë në hallin e përbashkët apo në projektin politik të përbashkët. Sa i takon vajtjes në SPAK, po nuk shkoi, e marrin. Ajo që është e rëndësishme, është që Basha dhe Endri Hasa, ish shefi i IT, mund ta zbardhin ngjarjen e ’21 Janarit’. Nëse ka person të rëndësishëm, është Lulzim Basha. Ashtu edhe Endri Hasa, ka qenë në pozicion të rëndësishëm. Rëndësi ka sa do flasë Basha kur të shkojë në SPAK./abcnews.al