Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, në një intervistë për emisionin “Sheshi i dollarit” me gazetaren Genta Dobra theksoi se qeveria po punon për një instrument që do të shërbejë për monitorimin e statistikave të turizmit. Ajo tha se puna nis në fillim të vitit 2024 dhe do t’i dedikohet turizmit.
“Përfaqësimi i sektorit privat ka qenë qershia mbi tortë e turizmit për 2023 sepse nuk kemi qenë ndonjëherë më mirë të koordinuar në mobilizim, punë por jemi larg asaj standard i qëndrueshëm i shërbimeve në turizëm. 2023 ishte një vit fantastik, qëllimi është që kemi filluar përgatitjen për provën e zjarrit, që është viti 2024.
Sistemi i statistikave në turizëm nuk është njësoj si statistikat e tjera sepse ka të bëjë nga kryqëzimi i të dhënave që vijnë nga sektor të ndryshëm. Shqipëria nuk e ka sistemin SAT. Po punojmë për një program të Bankës Botërore dhe të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Në fillim të vitit 2024, fillon puna për ndërtimin e këtij instrumenti që do të jetë një platformë e dedikuar për statistikat e turizmit, që do të ushqehet dhe nga sektori privat, që i ka mbaruar koha e informalitetit.
Platforma do të furnizohet nga burime të ndryshme dhe do të nxjerrë të dhëna të sakta për të vendosur politika të sakta dhe instrumente financiare që t’i përgjigjemi standardit që duam të arrijmë. Kemi ndërtuar mekanizma ligjorë për të nxitur turizmin cilësor, siç është ligji i turizmit që e kemi në proces rishikimi edhe pse realiteti eci më shpejt.”, theksoi Kumbaro./abcnews.al