2017-a, vit “i artë” për ekonominë europiane

schedule19:51 - 14 Shkurt, 2018

schedule 19:51 - 14 Shkurt, 2018

Viti që lamë pas ka rezultuar më i miri për ekonominë europiane, e cila ka regjistruar rritjen më të lartë në dekadën e fundit. Lokomotivë e kësaj performance pozitive është Gjermania, e ndjekur nga Franca dhe Spanja.

Ekonomia e Bashkimit Europian në vitin 2017 u rrit me ritmin më të lartë të 10 viteve të fundit. Kështu tregojnë shifrat e publikuara nga Instituti europian i statistikave, Eurostat. Blloku 28 vendësh regjistroi një rritje prej 2.5 për qind, që është dhe performanca më e lartë që prej 2007-s, kur rritja ishte 2.7 për qind. Në tremujorin e fundit të vitit që lamë pas, si BE ashtu edhe Eurozona panë ekonomitë t’u rriten me 0.6 për qind më shumë se tremujori parardhës. Performanca pozitive e kontinentit të vjetër udhëhiqet nga Gjermania, ekonomia më e madhe, që u rrit me 0.6 krahasuar me tremujorin parardhës.

Edhe rritja e Francës ishte 0.6 për qind, ndërsa ajo e Spanjës pak më e lartë, 0.7. Vendet në fjalë, plus Italianë, mbeten sipas ekspertëve ekonomitë lider në Europë. Por edhe vende të Europës lindore, si Letonia dhe Sllovakia, po përjetojnë një rritje të shpejtë. Ekonomistët ia atribuojnë meritën e kësaj situate optimiste politikave stimuluese të Bankës Qendrore Europiane, që në vitet e fundit kanë ulur kostot e huamarrjes. Gjithashtu, besimi në tregjet financiare ka kapur nivele rekord që nga rënia e krizës dhe papunësia ka rënë sërish në nivelet e para-krizës./abcnews.al