200 familje pa ujë të pijshëm pasi u ndërtua ujësjellësi i ri

schedule13:30 - 16 Gusht, 2019

schedule 13:30 - 16 Gusht, 2019

200 familjet e një fshati në Prrenjas po përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Banorët tregojnë se kjo ndodhi menjëherë, pasi u ndërtua ujësjellësi i ri. Asnjëherë më parë banorët e fshatit Bërzeshtë, nuk kishin vuajtur për ujë të pijshëm.

Prej 500 vjetësh nuk u ka munguar uji. As ai i pijshëm dhe as ai për nevoja të tjera. Është quajtur gjithnjë Bërzeshtë e shtatë burimeve. Aty tek rrapi ku dikur bëhej kuvendi i burrave.

Por ka ca gjëra që ndodhin vetëm në Shqipëri. Disa muaj më parë vendorët e zonës së Qukësit në Prrenjas, pjesë e së cilës është dhe fshati Bërzeshtë zbarkuan këtu dhe u premtuan banorëve ujësjellës të ri. 24 orë ujë në ditë dhe pse ujë kishin. U ngrit depozita, u shtruan tubacione. U ndërtuan 20 çezma. Por jo vetëm që ujë nuk erdhi, por u iku dhe ai që kishin.

“Që kur u bë investimi ne jemi pa ujë”.

Të gjitha pusetat e ujit të shtrira në fshat janë të hapura pa asnjë lloj sigurie. Banorët ankohen se kjo situatë u ka krijuar edhe konflikte të mëdha. Ato kërkojnë që uji të rikthehet në depon e vjetër duke nxjerrë jashtë funksionit pusetat e reja. Kështu të paktën besojnë se nuk do të vuajnë nga etja./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!