Nga sot, në Parkun e Liqenit të Tiranës mund të gjeni edhe një kopësht me selvi, kushtuar shkrimtarit të madh shqiptar, Dritëro Agolli, i cili u nda nga jeta pikërisht një vit më parë, në 3 shkurt 2017. Në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Shoqatën “Devolli” dhe të afërm të poetit e shkrimtarit, mbollën 20 selvi, duke shënjuar nisjen e punimeve për kopshtin e letrarit të shquar të kulturës kombëtare shqiptare, një moment kujtese dhe nderimi për kolosin e letrave shqipe.
Në mbjelljen e pemëve të llojit selvi ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi figurën e Dritëroit, si njeriu që arriti të bëjë bashkë dashamirës nga çdo cep i Shqipërisë. “Sot e fillojmë me një gjest simbolik, mbjelljen e 20 selvive në një pjesë të parkut të liqenit që ia kemi kushtuar Dritëroit. Duam që të jetë një vend meditimi, pushimi, një vend paqeje, një vend ku njerëzit të lexojnë libra dhe të kujtojnë veprën e Dritëroit. Ndaj kemi përgatitur që në këtë pjesë memoriale të parkut, ku janë disa prej figurave të shquara, të kemi një vend të posaçëm për të kujtuar Dritëroin. Fuqia e tij duket edhe në faktin që arrin të na mbledhë nga çdo cep i Shqipërisë”, deklaroi Veliaj.
Bashkia e Tiranës parashikon që në këtë pjesë të parkut të vendoset edhe busti i shkrimtarit, që së bashku me pemët e selvisë që u mbollën sot, do të krijojnë kopshtin e Dritëro Agollit.
Kryebashkiaku Veliaj ftoi qytetarët që kontribuojnë duke dhuruar një pemë për qytetin për të shprehur dashurinë apo të përkujtojnë njeriun e tyre të dashur që nuk jeton më. “Do të doja që secili në Tiranë, që ka një kujtim dhe dëshirë për të shprehur dashurinë, mund të vijë të mbjellë lule, një pemë dhe të japë diçka mbrapsht nga ajo kulturë e madhe që morëm nga Dritëroi”, tha Veliaj, duke shtuar se është misioni ynë që t’ia kalojmë stafetën e veprës së Dritëroit një gjenerate të re. “Shpresoj shumë që brezat e rinj, duke filluar nga nipi i tij, të kenë mision përcjelljen e veprës së tij. Është misioni ynë që t’ia kalojmë stafetën e veprës së Dritëroit një gjenerate të re dhe brezit që ndoshta do të na bëjë akoma edhe më krenarë”, nënvizoi Veliaj.
Tajar Agolli, vëllai i shkrimtarit Dritëro Agolli, falenderoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe miqtë, të cilët iu bashkuan kësaj dite të veçantë. “Ju falenderoj të gjithëve për këtë pjesëmarrje në këtë ceremoni. Jemi shumë të kënaqur për të gjithë ata aktivistë që marrin pjesë, miq të Dritëroit. Sigurisht, miqtë e Dritëroit janë në zemrën tonë. Na ka folur direkt për miqtë që ka dhe ka shumë miq”, u shpreh vëllai i shkrimtarit të dashur për të gjithë shqiptarët./abcnews.al