20 km larg Tiranës, fshati i izoluar nga rruga

schedule13:56 - 28 Maj, 2018

schedule 13:56 - 28 Maj, 2018

Qeveria po i orienton fermerët drejt agroturizmit si një mundësi e mirë për të zhvilluar ekonominë rurale. ABC News ishte në një nga fshatrat pranë Tiranës, në Mustafa Koç, ku bisedoi me një nga fermerët që ka investuar në një biznes të tillë. Ai na tregoi se mungesa e një rruge jo vetëm po i çon dëm investimin, por po izolon edhe banorët e kësaj zone.

Pasioni për bujqësinë bëri që Pajtim Birjani nga Tirana, 11 vjet më parë të blinte një tokë në periferi.

“Kam vënë në dispozicion rreth 400 mijë dollarë”.

Tashmë rreth 20 kilometra nga qendra e kryqytetit, në fshatin Mustafa Koç, ai zotëron 60 mijë metër katrorë tokë, dy hektarë vreshta, 1500 ullinj dhe 2500 pemë të tjera të llojeve të ndryshme.

“Pikësynimi im ishte që të bëja agroturizëm. Kam investuar goxha. Kam bërë një restorant që nuk është efiçent. Kam bërë rrugën dhe  dy ura vetë, por e ndjej veten të braktisur nga shteti se s’më jep ndihmën që kam mëse të nevojshme”.

Qeveria po i orienton fermerët drejt agroturizmit si një mundësi e mirë për të zhvilluar ekonominë rurale, por në këtë fshat, pjesë e njësisë administrative Baldushk, mungesa e infrastrukturës e bën një mision të vështirë.

Nevoja e këtij fermeri është ndërtimi i rrugës dhe zgjerimi i urës në hyrje të saj. Këtu nuk mund të kalojë çdo makinë, përmasat e saj duhet të jenë fikse.

“Asnjëherë nuk arrij ta çoj produktin normal në pikën e shitjes. Gjithë qersihitë i kam lënë në degë se s’kam rrugë për t’i çuar. Kam kumbullën. O do ta këpus të papjekur ta nxjerr që mos ta hajë tjetri, ose nëse do ta lë të piqet do ta çoj vetëm salcë ose reçel në treg. Kjo thjeshtë vetëm për dy kilometra rrugë”.

Për më tepër edhe këtë shteg nuk mund ta përshkojnë për shumë kohë. Rrugën e ka marrë lumi e toka është pronë private.

“Lumi më ka marrë 1 dynym e gjysëm. Njerëzit kishin halle probleme dhe më thoshin ‘më lër të kaloj’. Unë do t’ia lej në një farë afati, që pushteti lokal a qendror, bashkia meqë është e madhe e fuqishme, me pak shpenzime duke hedh inerte aty, rruga mund të rregullohet”.

Reshjet e fundit, përroi i Zhullimës doli nga shtrati dhe e shkatërroi totalisht këtë rrugë.

“Kur ka reshje shiu të dendura këto tokat bëhen një metër me ujë. Përmbytjet siç bëhen në Myzeqe bëhen edhe këtu”.

Banorët u izoluan në shtëpi, ndërsa shqetësimin e tyre për sistemimin e infrastrukturës ja paraqitën bashkisë në portalin “Tirana Ime”.

Përgjigja?

“Do të shikohet me prioritet mundësia për sistemim të rrugëve në investimet e ardhshme të bashkisë së Tiranës”

“Të jetë rrugë me çakull. Të jetë rrugë e mirëmbajtur se deri tani e kam mirëmbajt vetë. Mund të kem hedhur mbi 7-8 milionë lekë të vjetra edhe urat vetë që të bëhen. Por nuk mbahen vete. Do dorën e shtetit”.

Ndërsa presin që bashkia sistemimin e rrugëve të ketij fshati me rreth 4 mijë banorë ta vendosë ndër prioritetet e saj, vendasit duhet të luten që bujaria e fqinjit të zgjasë. Kështu ata do të kenë mundësi të dalin në qytet./abcnews.al