20 gola kuqezi në vitin 2021, goleadorët e Shqipërisë “presion” Rejës

schedule14:07 - 9 Mars, 2021

schedule 14:07 - 9 Mars, 2021

Sokol Cikalleshi dhe Rey Manaj ishin të preferuarit në Nations League, por Shqipëria ka disa sulmues dhe fatmirësisht ata po shënojnë rregullisht periudhën e fundit. Ky është një lajm i mirë, në prag të dueleve në eliminatoret e Kupës së Botës 2022.

Andorra, Anglia dhe San Marino janë rivalët e Shqipërisë dhe trajneri Edy Reja do të duhet të mendohet mirë se kë do të aktivizojë nga minuta e parë në sulm. Nisur nga e shkuara, vetëm dy prej tyre mund të aktivizohen.

Në garë janë katër lojtarë, veç Cikalleshit e Manaj. Myrto Uzuni dhe Armando Broja po paraqiten në mënyrë fantastike, respektivisht në Hungari dhe Holandë. Beratasi është edhe shënuesi më i mirë nga lojtarët e kombëtares në vitin 2021.

Sulmuesi i Ferencváros ka shënuar 6 gola në pjesën e dytë të këtij sezoni dhe për të madje kanë nisur të interesohen klube nga Anglia dhe Spanja. Broja gjithashtu po spikat te Vitesse, që ka shkuar edhe në finalen e Kupës së Holandës.

Djaloshi nga Malësia e Madhe realizoi në gjysmëfinale, ndërkohë që numëron edhe katër gola të tjerë në kampionat në vitin 2021. Edhe Rey Manaj me Barcelonën B po shënon rregullisht.

Sulmuesi lushnjar ka realizuar pesë gola, të fundit ditën e djeshme. Shpesh e ka bërë edhe me penallti, duke u konfirmuar si një lider në ekipin katalanas. Këtë vit ka qenë mirë me shënjestrën edhe Sokol Cikalleshi.

Futbollisti nga Kavaja, i cili aktivizohet me Konyaspor në Superligën e Turqisë, në janar e tutje i ka shënuar të gjithë golat e tij sezonalë. Tani që është zhvendosur në qendër të sulmit, Cikalleshi ka ndihmuar skuadrën e tij me katër gola të realizuar. / abcnews.al