“Mënyra më e mirë për të festuar rinovimin”, De Rossi: Kur eleminon një skuadër si Milan, do të thotë që bëmë mirë

schedule15:56 - 19 Prill, 2024

schedule 15:56 - 19 Prill, 2024

Në fillim rinovimi, më pas fitorja ndaj Milan dhe kualifikimi në gjysmëfinalet e Europa League. Tekniku italalian, Daniele De Rossi po përjeton emocione të forta si trajner i Roma-s së tij.

“Verdhekuqtë” mposhtën 2 me 1 “Kuqezinjtë”, teksa kishin fituar 0-1 edhe në “San Siro” dhe tani do të përballen me “Aspirinat” e Bayer Leverkusen, një nga ekipet më në formë të Evropës, duke përsëritur gjysmëfinalen e edicionit të kaluar.

“Nuk kishte mënyrë më të mirë për të festuar rinovimin. Kisha pak frikë se ndoshta lajmi do të prishte pjesën tjetër të ditës. Gjithashtu kisha frikë se rezultati i ndeshjes do të prishte lajmin e bukur, por u shpërblyem nga një ndeshje e jashtëzakonshme e djemve. Jam krenar që jam trajneri i tyre. Skuadra bëri gjithçka, e nisi mirë, tentoi dhe gjeti saktë thellësinë, si në golin e dytë.

E kishim përgatitur një gjë të tillë. Gjithashtu luftuam siç luftojnë skuadrat e mëdha. Na e mësoi një gjë të tillë Reali i Madridit, edhe të mëdhenjtë luftojnë e sakrifikojnë. Nuk mund të pretendojmë të vëmë poshtë çdo kundërshtar. Duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin që gjejmë përballë skuadra të mrekullueshme si Milani, një skuadër e stërvitur mirë. Që zhvilloi dy ndeshje pozitive ndaj nesh”,- u shpreh De Rossi.

Nuk mungoi një koment edhe për “fantazistin” e sulmit, Stephan El Shaarawy, një ndër më të mirët e Roma-s, dhe “Aspirinat” e Bayer Leverkusen, rivalin e radhës në gjysmëfinale.

“E njoh El Shaarawy prej vitesh, që kur ishte një djalosh. Nuk ishte ky futbollist që është sot. Ishte talent i madh, por pak futbollist, dhe më pak burrë. Ajo që bëri ndaj Milan ishte e pabesueshme. Mbrojti shumë, fitonte topin dhe rinisej në sulm. Është shumë bukur ta shohësh duke luajtur në këtë mënyrë, të bën krenar si trajner.

Leverkusen? Kur eliminon Milan duke luajtur futboll të mirë, do të thotë që ke bërë shumë mirë. Një gjë e tillë na mbush me besim, por tani do të ndeshemi me një skuadër të pamposhtur. Ata duken si të pathyeshëm, por ne do të jemi gati dhe do të përpiqemi t’i vendosim në vështirësi”,- përfundoi trajneri i “Verdhekuqve”. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!