Dy minorenë në Korçë të arrestuar për trafik droge një vit më parë, qëndruan në paraburgim më shumë se afati i caktuar për të miturit. Kjo shkelje është ngritur si problem nga avokati i çështjes Nevzat Tarelli. Për ABC News avokati ka folur për shkaqet që çuan në këtë shkelje.
Nganjëherë drejtësia mund të jetë e padrejtë! E kanë provuar këtë dy minorenë. 17 vjeçarët Jonadri Karaja dhe Luiz Hoxhalli, u harruan, jo në kuptimin metaforik për një vit të mbyllur në burgun e Korçës. Të miturit u arrestuan në mars të 2018 për trafik droge të mbetur në tentativë. Avokati i çështjes ku janë përfshirë të miturit rrëfen për ABC News shkeljen flagrante të afateve ligjore.
Avokati Nevzat Tarelli: “Parashikohet që rregullat për të miturit janë po aq të zbatueshme se të rriturit, por me kufizimin që paraburgimi nuk mund të jetë më i gjatë se gjysma e maksimumit të parashikuar për të rritur, një i paraburgosur i mitur nuk mund të mbahet në paraburgim pa u dërguar çështja për 6 muaj, në rastin konkret këto afate janë shkelur”.
Kjo neglizhencë sipas avokatit Nevzat Tarelli ka ardhur për shkak të ndryshimeve që janë bërë së fundmi, të kompetencave të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe të Gjykatave të Rretheve.
Avokati Nevzat Tarelli: “Është rivlerësuar masa në Gjykatën e Korçës dhe ajo gjykatë ka qenë kompetente dhe nuk ka pasur kërkesë për transferim çështje. Me kodin e ri të procedurës penale për një peiudhë kohe u bë një konflikt kompetencash, se trafiku nuk është më kompetencë e Krimeve të Rënda, por gjykatës së rretheve dhe për shkak të një vendimi njehsues të Gjykatës së Lartë kjo po gjykohet te Krimet e Rënda”.
Shkelja ka vijuar zinxhir edhe në institucionet e tjera, e të miturit kanë vazhduar të qëndrojnë në paraburgim.
Avokati Nevzat Tarelli: “Për një periudhë pati një handikap kur herë u zbatua në krimet e rënda herë në prokurorinë e rretheve. Në atë periudhë ishte komeptente Gjykata e Korçës, nuk pati kërkesë për transferim të çështjes, ndërkohë prokuroria pas vendimit transferon çështjen te krimet e rënda ndërkohë që nuk e transferon gjykata. Kjo solli pasojë mosvlerësim të masës së sigurimit për një periudhë të gjatë kohe. Kjo shërbeu për paraburgim të padrejtë. Këtu ishte një handikap se duhej njoftuar gjykata e shkallës së parë dhe e shkallës së parë për Krimet e Rënda”.
Pas një viti dy të miturit janë lënë me masën detyrim paraqitje, ndërsa tashmë është duke u zhvilluar procesi./ABC News Albania 24/7