1600 forca policie, çfarë ndodhi në protestën e opozitës

schedule15:56 - 21 Shkurt, 2019

schedule 15:56 - 21 Shkurt, 2019

Protesta e opozitës para Parlamentit u mbyll qetësisht, duke mos shënuar asnjë të lënduar. Policia ishte angazhuar maksimalisht, duke marrë masa edhe për një skenar të mundshëm të hyrjes së manifestuesve brenda oborrit të Kuvendit.

Ndryshe nga protesta e së shtunës para Kryeministrisë, për tubimin para Parlamentit Policia e Shtetit kishte forcuar radhët e saj. Mbi 1600 efektivë u angazhuan për sigurinë e kësaj proteste.

Gjithë perimetri i brendshëm i oborrit para ndërtesës së parlamentit ishte siguruar me tela me gjemba, jo shumë larg rrethimit të institucionit. Po kështu edhe Garda e Republikës vrojtonte nga pikat më të larta të zonës.

Instruktazhin, forcat e rendit e morën nga drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, duke  e rrethuar parlamentin nga të katër anët e tij. Interesi i mediave të huaja ishte i lartë për protestën e organizuar nga opozita.

Në tërësi nuk kishte akte dhune apo tentativa për të çarë kordonet policore. Kishte nga ata manifestues me cilësi të mira në ngjitje në pemë siç ishte edhe ky i moshuar me origjinë nga Puka.

Pika më kulminante ishte, kur lideri i Partisë Demokratike deklaroi djegien e mandateve. Disa nga protestuesit në shenjë revolte hodhën lëndë piroteknike në drejtim të uniformave blu. Ishin po vetë protestuesit që qetësuan situatën.

Pas mbarimit të tubimit para paralamentit, politikanët dhe manifestuesit iu drejtuan Kryesisë së Kuvendit për të dorëzuar mandatet e deputetëve. Një hap pas tyre ishin edhe forcat e rendit. Pas një qëndrese të shkurtër para Kryeministrisë, protestuesit u larguan paqësisht në drejtim të selisë së Partisë Demokratike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!