TIRANË- Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar pas protestës së sotme të Partisë Demokratike, e cila sipas saj kaloi në dhunë ndaj Policisë së Shtetit.
Nga ambientet e QSUT ku po trajtohen efektivët e lënduar, Koçiu bëri me dije se aktualisht 16 punonjës policie po marrin trajtim mjekësor, ndërsa priten edhe referime të tjera.
Ajo theksoi se kjo është hera e dytë që ndodhin akte të tilla dhe se drejtuesi i protestës, Sali Berisha, është sipas saj i vetmi që mund të organizojë protesta kaq të dhunshme.
Koçiu bëri të ditur se ka kërkuar që të gjithë personat që u bënë pjesë e dhunës të vendosen para përgjegjësisë ligjore. Sipas saj, qëllimi i protestës ishte goditja e punonjësve të policisë, ndërsa edhe punonjës të medias kanë pësuar lëndime si pasojë e dhunës së ushtruar gjatë protestës.
“Jam këtu për të parë efektivë që po marrin trajtim mjekësor. Protesta e sotme, e cila është një e drejtë kushtetuese, kaloi në një protestë e paprecedentë, në një dhunë barbare ndaj policisë së shtetit. Është hera e dytë dhe drejtuesi i kësaj proteste, Sali Berisha, është i vetmi që mund të organizojë protesta të dhunshme.
Kam kërkuar që vendosën para përgjegjësisë të gjitha ata që sot u bënë pjesë e një dhune barbare. Qëllimi i sotëm i protestës, ishte të godisnin punonjësit e policisë. Edhe gazetarët kanë pësuar lëndime, nga dhuna që ushtrohet nga protesta. Janë 16 punonjës që po marrin trajtim, dhe ndërkohë presim të kemi dhe referime të tjera.”, tha Koçiu./abcnews.al


