Merkatoja është e “nxehtë” te skuadra e Tiranës. Kampionët e Shqipërisë përveç ofertave që kanë për sulmuesin e kombëtares shqiptare, Taulant Seferin, kërkesat nuk mungojnë as për partnerin e sulmit.
Redon Xhixha është lojtari tjetër që mund t’iu japë lamtumirën bardhebluve gjatë kësaj merkatoje, teksa ofertat konkrete nuk kanë munguar në drejtim të tij.
Mësohet se në drejtim të klubit të Tiranës janë ofruar 150 mijë euro për kartonin e tij. Por, kjo shumë është refuzuar kategorikisht nga presidenca bardheblu me pretendimin se vlera në fjalë është e vogël.
Mbetet të shihet se cila do të jetë oferta që do të kënaq xhepat e kampionëve, të cilët kërkojnë të përfitojnë sa më shumë nga shitja e lojtarëve të saj.
Kujtojmë se bardheblutë do të luajnë ditën e nesërme me Zrinjskin në Bosnje, në takimin e dytë të turit të dytë të Conference League, me sfidën e parë që është mbyllur në avantazhin 1-0 të skuadrës boshnjake. /f.a/abcnews.al