15 vite pritje: Durrësi në këmbë, spektakël me fishekzjarrë për Teutën

schedule12:59 - 3 Gusht, 2020

schedule 12:59 - 3 Gusht, 2020

15 vite pritje për të ngritur Kupën. Teuta, me Stavri Nicën në krye, kishte mposhtur Tiranën pas gjuajtjes së penalltive në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” (sot “Elbasan Arena). Këtë herë durrsakët e ngritën të njëjtin trofe, në një impiant modern si “Air Albania Stadium”.

Edi Martini e kishte me shumë dëshirë të fitonte, ashtu sikurse të gjithë lojtarët dhe drejtuesit e klubit. 100 vjetori i Teutës i kishte motivuar, ndërkohë që qyteti bregdetar kaloi momente të vështira në dimër prej tërmetit të 26 nëntorit.

Dje pati gëzim edhe në Durrës, rrugëve, por edhe në stadium ku protokolli sanitar ishte shkelur me të dyja këmbët. Se mos vetëm në stadiume po shkelet… Tifozët e Teutës gjithashtu e donin shumë Kupën e Shqipërisë dhe ekipi i tyre i zemrës i gëzoi.

Ata ia kthyen me këngë e kore të ndryshme. Sigurisht nuk mund të mungonte edhe shfaqja me mjete piroteknike, ndërkohë që lojtarët dhe stafi nuk ngurronin të filmonin nga autobusi me të cilën udhëtonin drejt Durrësit. /abcnews.al