15 shkurti/ Dita Botërore Kundër Kancerit të Fëmijëve

schedule15:52 - 15 Shkurt, 2022

schedule 15:52 - 15 Shkurt, 2022

Kanceri tek fëmijët është shumë i rrallë dhe me një sërë manifestimesh klinike. Nëse diagnoza vendoset në kohën e duhur, shkalla e shërimit është e lartë: trajtimet moderne e bëjnë mbijetesën dhe rikuperimin e zgjatur të mundshëm për shumë kancere të fëmijërisë.

Vitet e fundit, me avancimin e mjekësisë dhe për shkak të mjaftueshmërisë së barnave dhe personelit të kualifikuar shkencor, 70% e fëmijëve që kanë akses në trajtim të specializuar po ecin mirë. Arritja më e madhe e mjekësisë është fakti se tetë në dhjetë fëmijë me leucemi sot janë mirë.

Fëmijët me kancer duhet të trajtohen në pavijone të veçanta onkologjike pediatrike dhe të trajtohen nga staf i specializuar mjekësor dhe psikologë e punonjës socialë, të cilët do të kujdesen për ta jo vetëm gjatë trajtimit, por edhe gjatë periudhës së riintegrimit, shkruan abcnews.al

Diagnostifikimi i hershëm i kancerit është i një rëndësie të madhe. Prandaj një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet trajnimit të profesionistëve shëndetësorë që ata të diagnostikojnë në kohë sëmundjen dhe të informohen siç duhet prindërit në mënyrë që ata të mund të referohen në kohë në spitalet pediatrike.

Disa fakte rreth kancerit të fëmijëve

Siç kemi thënë, fëmijët mund të preken shumë më rrallë nga kanceri sesa të rriturit, megjithatë kanceri mbetet shkaku më i zakonshëm i vdekjes tek fëmijët pas aksidenteve.

Nëse kanceri diagnostikohet mjaft herët dhe fëmija i nënshtrohet protokolleve të duhura të trajtimit, atëherë rreth 70% e kancereve të fëmijërisë janë të shërueshme.

Është vlerësuar se rreth 250,000 fëmijë në mbarë botën diagnostikohen me kancer çdo vit. Megjithatë, sot vetëm 20% e fëmijëve në mbarë botën mund të përfitojnë nga kujdesi i avancuar mjekësor. 80% e tyre vijnë nga vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta.

Më shumë se 150,000 vdekje çdo vit mund të ishin shmangur nëse të gjithë fëmijët do të ishin diagnostikuar dhe trajtuar herët.

Trajtimi dhe kujdesi i kancerit të fëmijëve kërkon një ekip të tërë ndërdisiplinor, i cili ofron jo vetëm kujdes mjekësor për fëmijën (që mund të përfshijë kirurgji, kimioterapi etj.), por edhe mbështetje psikosociale për fëmijën dhe të gjithë familjen.

Bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet ekipit mjekësor të infermierisë dhe prindërve të fëmijës është një përbërës thelbësor për trajtimin, mbështetjen dhe kujdesin e suksesshëm të fëmijës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!