15 historianë nga Shqipëria e Kosova bëhen bashkë për “Rishkrimin e Historisë së Shqiptarëve”

schedule16:20 - 4 Maj, 2021

schedule 16:20 - 4 Maj, 2021

Nga Leontina Nika 

2500 vite histori e shqiptarëve do të përmblidhet në  dy vepra madhore. Pas 20 vitesh Akademia e Shkencave të Shqipërisë nis takimin e parë të historianëve, arkeologëve e njerëzve të kulturës për rishkrimin e historisë së vendit tona.

Historiani Pëllumb Xhufi garanton se historia do vijë e depolitizuar dhe bazuar mbi disa burime arkivore

“Kjo do të jetë një histori totale, nuk merret vetëm me ngjarjet e me faktet, por do ndjekë edhe proceset ekonomike, zhvillimin e shoqërisë shqiptare, artin kulturën…Nëse do t’i qëndrojmë parimit themelor të historisë, për ta dhënë faktin, natyrisht ky do jetë një tekst i depolitizuar.”

Drejtori i Institutit të Historisë të Kosovës, Sabit Syla, thotë se do ishte mirë që historia të përfshihej  deri ne vitin 1999, që përkon me datën historike për Kosovën.

“Unë jam për pjesën pas Luftës së Dytë Botërore për historinë e shqiptarëve të Kosovës  dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi. Pra do doja që ky projekt të shkonte deri në 1999,jo deri në ’90.”

Xhufi i jep këtë përgjigje.

“Fatet e popullit të Kosovës do të ndiqen deri në momentin kur ata realizuan ëndrrën e tyre dhe emancipimin si një shtet i pavarur.”

Beqir Meta  sqaron se në këtë tekst do marrin fund debatet e nxehta historike , si dhe ndasitë mes historianëve, siç është edhe ai mbi  datën e Çlirimit të Shqipërisë .

“Më 29 nëntor në mëngjes, nuk ka pasur ushtri gjermane në Shkodër. Dhe, keqkuptimi është krijuar edhe për faktin se nuk ka pasur luftime atë natë. Pika të nxehta ka që nga mesjeta, që nga antikiteti…”

Historia e shqiptareve  do të përfshijë periudhën ilire, arbërore  si edhe historinë e shqiptareve jashtë kufijve, Çameria, Kosova, diasporat e me gjere. Dy vëllimet pritet të shohin dritën e botimit në 2023 në gjuhën shqipe dhe më pas do të jenë edhe në anglisht. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!