Prokuroria e Posaçme ka vendosur zgjatjen me tre muaj hetimet për dosjen e kokainës 137 kg kokainë në oriz, e kapur në portin e Durrësit, ndërsa vinte Pireu i Greqisë.
Mësohet se për zbulimin e personave të përfshirë në trafikimin e drogës, i është kërkuar autoriteteve greke që të intensifikoj veprimet hetimore për të zbuluar persona të tjerë të implikuar në ngjarje.
Ndërkohë, policisë shqiptare SPAK i ka kërkuar që të intensifikojë kërkimet në lidhje me arrestimin e Gentian Malindit, personi i cili dyshohet të jetë pritësi i kokainës në Durrës.
Për Malindin është caktuar “arrest me burg” në mungesë, ndërsa në qeli ndodhen Ardian Bega dhe Altin Myslihaka. Ky i fundit, punonjës i portit.
Si u zbulua kokaina?
Sasia prej 137 kg kokainë ishte nisur nga Ekuadori, do kalonte nëpër vendin tonë dhe destinacioni final ishte tregu europian.
Kokaina ishte fshehur në motorët e frigoriferëve në katër kontenierë me banane, të porositura nga një kompani shqiptare, e cila operon në treg nga viti 2011. Autoritetet greke informuan policinë shqiptare pas zbulimit të drogës dhe më pas kanë vendosur që ta zëvendësonin drogën me oriz, dhe brenda pakove të vendoseshin GPS.
LEXO EDHE: Nën hetim për 137 kg kokainë, Gentian Malindi ankimon nga arratia masën e sigurisë
Kontenierët me banane kaluan tranzit në portin e Pireut. Sipas burimeve nga grupi hetimorë asokohe u bë me dije se të dyshuarit kanë hapur vetëm kontenierin me targë 313 duke hequr me një kaçavidë pllakën metalike dhe duke marrë prej atyre disa pako me çantë dore. Pako të cilat në vend të 137 kg kokainë kishin 136 kg oriz e gips si dhe 1 kg kokainë. g.v/abcnews.al