“Politikani i lartë I.M bashkëpunëtor i ish-Sigurimit”, reagon Meta: Armiku kryesor sot i lirisë është korrupsioni

schedule21:08 - 26 Korrik, 2022

schedule 21:08 - 26 Korrik, 2022

Ish-Presidenti i vendit, Ilir Meta ka reaguar pasi Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit bëri të ditur se, gjatë verifikimit të dokumenteve të bashkëpunëtorëve të sigurimit, ka zbuluar se një politikan i lartë shqiptar ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit. Siç u bë e ditur, ky politikan i lartë shqiptar mban inicialet I.M.

Meta mendon se korrupsioni është armiku kryesor i këtij vendi. Përmes një video-mesazhi në Facebook, Meta shprehet se është pikërisht ky korrupsion që i ka detyruar të rinjtë të largohen nga Shqipëria.

Meta: Armiku kryesor sot i lirisë është korrupsioni, korrupsioni, korrupsioni. Është pikërisht ky korrupsion që e ka rënduar situatën e çdo qytetari shqiptar, po e shpërbën këtë familje dhe po përzë të rinjtë nga vendi ynë.

Sipas Autoritetit të Dosjeve, institucionit iu kërkua nëpërmjet postës elektronike që të verifikohej figura e shtetasit I. M. në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit. Konstatimi u shqyrtua me përgjegjësi dhe materialet u bënë të njohura për të gjithë anëtarët e zgjedhur.

Njoftimi Autoritetit të Dosjeve:

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, institucion i pavarur, i krijuar për qëllime të informimit të individëve, institucioneve, studiuesve dhe mediave me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ushtron prej 5 vitesh veprimtarinë e tij, bazuar në ligjshmëri, transparencë dhe bashkëpunim me institucionet shtetërore. Në kuadër të punës së përditshme me përpunimin e materialeve të ish-Sigurimit të Shtetit, së fundmi Autoriteti është ndeshur me informacione dhe të dhëna mbi një personazh me profil të lartë politik.   Institucionit iu kërkua nëpërmjet postës   elektronike që të verifikohej figura e shtetasit I. M. në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit. Konstatimi u shqyrtua me përgjegjësi dhe materialet u bënë të njohura për të  gjithë anëtarët  e zgjedhur. Me vendimin nr. 321, datë 26.07.2022 të Autoritetit, të dhënat iu përcollën Kuvendit të Shqipërisë.Për  identifikimin e materialeve të tilla dhe informimin mbi to, Autoriteti kërkon të kthehet vëmendja te ndryshimet e ligjit nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” i ndryshuar dhe problematikat e vështirësitë e përsëritura në zbatimin e disa dispozitave./Abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!