13-vjeçari dyshohet se u vetëvar duke bërë video për Tik-Tok, Kushi: E tronditur

schedule13:32 - 21 Nëntor, 2021

schedule 13:32 - 21 Nëntor, 2021

Ditën e djeshme në 13-vjeçar humbi jetën pasi ishte vetëvarur me spango në qafë në dhomën e tij në Golem të Lushnjes. Ai u gjet i pajetë nga prindërit. Dyshohet se i mituri ka humbur jetën duke bërë video për ta hedhur në rrjet social Tik Tok.

Lidhur me ngjarjen e rëndë ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi shkruan se është e tronditur, ndërsa ka ngritur alarmin e keqpërdorimit që fëmijët iu bëjnë rrjeteve sociale.

Urgjente. Jam shumë e tronditur nga ngjarja e fundit e 13 vjeçarit në Lushnje! Aksesi i fëmijëve në internet për një kohë të gjatë dhe në burime apo informacione të pakontrolluara dhe të parekomandueshme për moshën e tyre është një nga çeshtjet që unë kam ngritur vazhdimisht në takime të ndryshme. Edhe para pak ditësh e ngrita si alarm në takimin e zhvilluar në kuadër të projektit “Shkolla për Shëndetin” ku theksova nevojën e një debati të gjerë publik për këtë emergjencë shoqërore.  Jo vetëm shkollat dhe institucionet, por edhe familjet dhe çdo individ duhet të marrë sot përgjegjësinë për këto raste fatale“, shkruan Kushi.

Këtë shqetësim Ministrja Kushi e kishte ngritur edhe më parë disa herë, ku më e fundit ishte para disa ditësh në aktivitetin e prezantimit të projektit “Shkollat për Shëndetin”, ku vuri në dukje përgjegjësinë e shkollës dhe familjes në këtë aspekt, si dhe theksoi nevojën e një debati të gjerë publik për këtë emergjencë shoqërore.

“Nuk mjafton vetëm puna e mësuesit, punonjësit psiko-social apo puna në institucionet arsimore, por familja është shumë e rëndësishme. Folëm sesa efekt negativ ka përdorimi i tepruar i teknologjisë te fëmijët. Më lejoni të ndaj një shqetësim me ju që kam kohë që e diskutoj me kolegët. Ky shqetësim ë lindi gjatë kohës së pandemisë, se u vu re që fëmijët filluan të rrinin për një kohë më të gjatë me telefonin dhe vijoi edhe pas karantinës. Më shumë e shqetësuar kam qenë sidomos gjatë pushimeve verore ku shumë prindër miq dhe kolegë më thonin që fëmija im rri gjithë natën me celular. Shumë prindër edhe mis e kolegë më thonin fëmija im rri gjithë natën me celular dhe fle gjumë deri në 1 të drekës.

Jam e bindur se secili prej mund të ketë dëgjuar raste të tilla, janë të shumta. Fëmijët rrinë deri në ora të vona të natës ndërkohë që prindërit janë në gjumë dhe duke aksesuar në informacione të pakontrolluara. Këtu të gjithë kemi përgjegjësi se është e thjeshtë të drejtosh gishtin te shkolla. Unë do u bëja thirrje të gjithë prindërve që ta kuptojnë se të gjithë kemi përgjegjësi. Siç na kërkoni ju prindër ne mësuesëve llogari do t’u kërkojmë edhe ne“.

Ndërsa policia vijon hetimet për zbardhjen e arsyeve që mund të kenë çuar të miturin të varë veten, mes dyshimeve është edhe fakti se ai mund të ketë qenë duke bërë një video në rrjetin social Tik-Tok. Ky nuk do të ishte rasti i vetëm pasi ka shumë të tjera ku argëtimi në rrjete sociale është kthyer në tragjedi. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!