13 vite zvarritje për çiftin rom, Hektor Xhanbazi: Pse nuk ma regjistroni vajzën në gjendjen civile?

schedule20:46 - 18 Dhjetor, 2021

schedule 20:46 - 18 Dhjetor, 2021

Janë të shumta plagët sociale të komunitetit rom. Pengesat burokratike për të regjistruar fëmijët në gjendje civile, shqetësojnë dhjetra familje. Hektor Xhanbazi së bashku me bashkëshorten Almën kanë 13 vite që përpiqen të regjistrojnë vajzën e tyre Aishen,e cila ka lindur në Pejë. Siç tregojnë, një zjarr që pat përfshirë po atë vit banesën e tyre, ka djegur dhe librezën e lindjes që kishin marrë nga Kosova, por institucionet nuk u japin zgjidhje.

Kështu, jo vetëm që nuk u arrit objektivi i Planit 4-vjeçar të Veprimit (2016-2020) për regjistrim të plotë të kësaj pakice, por ndryshe nga Kosova ku bëhen fushata ndërgjegjësimi për t’i nxitur romët dhe egjiptianët të regjistrohen, në Shqipëri  siç tregon avokati Gentian Sejrani, në shumë raste vetë institucionet bëhen pengesë.

Rrjeti Europian i Pashtetësisë, në 2018-ën hodhi poshtë mitin se përgjegjësia për pashtetësinë e romëve u përkiste vetë atyre, duke ia lënë gjithë peshën qeverisë, së cilës i kërkonte një reagim imediat, që do të monitorohej në kuadër të proçesit të zgjerimit të Bashkimit Europian. Ende sot që flasim, nuk ka një numër të saktë të  romëve që nuk kanë shtetësi, e rrjedhimisht as të numrit të plotë të kësaj pakice në Shqipëri…

Në rrethana të tilla, anëtarët e komunitetit rom, u duhet të presin që në radhët e institucioneve, të shikojnë të mbrohet e të respektohet identiteti i tyre edhe si detyrim ligjor….

Ndonëse plani i veprimit që lamë pas, u parashikua nën koston e më shumë se 7,79 miliardë lekë të ndarë mes buxhetit të shtetit dhe donatorëve, zbatimi i planit të ri për Barazi, Përfshirje dhe Pjesëmarrjen e Romëve dhe të Egjiptianëve për periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2025, mban koston prej më shumë se 4,75 miliardë lekësh. Risi në këtë plan do të jetë Antixhipsizmi,  që synohet të implementohet në politikat publike, për të eliminuar diskriminimin.

 Në pritje të përmbushjes së objektivave të rimarra nga plani i vjetër për pakicat rome dhe egjiptiane, fëmijëve e të moshuarve u duhet të përballen sy më sy, sa me diskriminimin aq edhe me varfërinë…/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!