Futbolli ka dhuruar shumë finale spektakolare dhe të çmendura, por asgjë nuk krahasohet me ndeshjen Milan-Liverpool të vitit 2005. Kuqezinjtë ishin skuadra më e fortë në planet dhe e mbyllën në avantazh të trefishtë finalen e Champions League kundër “The Reds”.
Gjithsesi, mjaftuan vetëm 7 minuta “errësirë” për t’i vënë shkelmin trofeut, gjatë të cilave anglezët barazuan ndeshjen. Milani u rikthye të dominojë përsëri, por ajo ishte nata e Liverpool, që triumfoi falë goditjeve të penalltive. Dy vjet më vonë erdhi hakmarrja e madhe, pavarësisht se Kaka nuk preferon ta quajë kështu.
“Ishte një shenjë e Zotit, nuk ishte rastësi. Nuk më pëlqen ta quaj hakmarrje, por ishte e mrekullueshme dhe magjike. Kishim ndryshime nga viti 2005, nuk ishin më Hernan Crespo dhe Andriy Shevchenko, por baza e skuadrës ishte e njëjta. Ishte pothuajse e njëjta skuadër, por një finale shumë ndryshe që u fut në histori“, kujton për sajtin e Milanit ylli brazilian, atë vit fitues i “Topit të Artë”.
Ishte 23 maji i vitit 2007, si sot 13 vite më parë. Skuadra italiane fitoi 2-1 falë dygolëshit të Pippo Inzaghit dhe dërgoi kupën me veshë të mëdhenj për herë të shtatë dhe të fundit në Milanon kuqezi.
“Pippo nisi vrapimin te goli i parë pa e parë fare topin, me shpresën që Reina do të priste goditjen e Pirlos dhe ai do reagonte. E kishte instiktive, thjesht e dinte. Te goli i dytë ishim vetëm unë dhe Pippo në sulm. I dija në perfeksion lëvizjet e tij, kështu që e kisha të qartë se ç’do të bëja.
U përgatita për t’i pasuar topin, ishte gjithçka kaq precize. Ai lëvizi anash për t’i krijuar vetës hapësirë në goditjen drejt portës. Gjithçka ka të bëjë me detajet. U tmerrova kur Kuyt shënoi, po kërcënoheshim sërish nga fantazmat e vitit 2005.
E ndjemë frikën dhe atë ndjesinë: mos, po ndodh sërish. Për fat të mirë, rezistuam dhe ia dolëm të festojmë në fund të ndeshjes. Ishin të ndryshme përjetimet gjatë festimeve. Ishte hera e parë që fitoja Champions League.
Një ëndërr e kthyer realitet, ndërsa Paolo Maldini e fitonte për herë të pestë këtë trofe. Ndihej sikur gjërat po rrotulloheshin rreth nesh, ishte mbyllja perfekte për kohën e kaluar së bashku“, përfundon Kaka. /abcnews.al