Presidenca publikoi këtë të martë listën e kandidatëve, të cilët kanë aplikuar për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.
Bëhet fjalë për 13 aplikantë dhe ata janë Alban Brati, Arta Vorpsi, Avni Shehu, Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Ilir Mustafaj, Irena Reso, Kestrin Katro, Klodian Rado, Kostandin Kazanxhi, Marsida Xhaferllari, Mimoza Qinami dhe Valbona Bala (Pajo)
Në njoftimin e presidencës thuhet se lista me aplikantët e mësipërm, së bashku me dokumentacionin e dorëzuar do të përcillen menjëherë pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për verifikim dhe vlerësim sipas ligjit.
Kandidatët janë emra të njohur në sistemin gjyqësor dhe me një karrierë të pasur profesionale.
Gjykata Kushtetuese për momentin ka vetëm një anëtar. Ajo është Vitore Tusha, e cila qëndron me mandat të mbaruar. Ndërkohë 8 anëtarë të tjerë u shkarkuan nga Vettingu.
Kreu i saj, Bashkim Dedja u shkarkua nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit. Katër anëtarë të tjerë Fatos Lulo, Altina Xhoxha, Fatmir Hoxha dhe Gani Dizdari u shkarkuan nga shkalla e parë e Vettingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Ndërsa, Sokol Berberi dhe Besnik Imeri dhanë dorëheqjen.
Në njoftimin e Presidencës thuhet gjithashtu se më 25 Maj, Gjykata Kushtetuese kalon në vakancë të plotë.
/abcnews.al