Investimet strategjike, Balla: Nuk ka fakte dhe indicie në kërkesën e PD për ngritjen e Komisionit Hetimor

schedule13:24 - 20 Qershor, 2022

schedule 13:24 - 20 Qershor, 2022

Maxhorca ka rrëzuar sërish kërkesën e PD-së për ngritjen e Komisionit Hetimor për investimet strategjike. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla u shpreh se nuk ka fakte dhe indicie që të iniciojnë ngritjen e një Komisioni Hetimor dhe për këtë arsye është rrëzuar. Ai u shpreh se në seancën parlamentare të radhës do të sqarojë me detaje arsyet pse nuk u votua.

Balla: Konferenca e Kryetarëve në shumicë konstatoi se kërkesa e PD ka probleme të qasjes kushtetuese të kërkesës së deputetëve, kërkesa nuk ka një mbështetje në vendimmarrjet e Gjykatës Kushtetuese e cila ka sqaruar se kur ngrihen këto komisione. Në kërkesë mungojnë indiciet, faktet, apo grup faktet që justifikojnë ngritjen e një komisioni të tillë. Unë kam bërë një sqarim të plotë lidhur me arsyet e rrëzimit të kësaj kërkese. Mendoj se opozita ka instrumentet të tjera të kontrollit parlamentar, por në kërkesë nuk ka as fakt as indicie që kuvendi të investohet për ngritjen e këtij komisioni. Pa i mohuar të drejtën 35 deputetëve, e drejta e kuvendit për të hetuar nuk është e pakufizuar. Të vish dhe të kërkosh të hetosh të gjithë hapësirën e zbatimit të ligjit, nuk mund të jetë objekt i një komisioni.Për më qartë në seancën plenare të ditës së enjte, do të parashtroj të gjitha arsyetimet të refuzimit të kësaj kërkese.

Opozita depozitoi në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për investimet strategjike më 24 maj.

Por ajo mbeti në mes për shkak se për të ngritur një komision hetimor duhen 35 firma dhe grupi i PD-së, megjithëse e kishte protokolluar kërkesën me numrin e duhur të firmave, Agron Duka u tërhoq, duke e lënë dokumentin me 34 firma.

Por më 27 maj, PD ridepozitoi kërkesën të korrigjuar, pasi u shtuan firmat e Enkelejd Alibeaj dhe Lulzim Bashës.

Të enjten e 9 qershorit, gjatë seancës parlamentare  në Kuvend mazhoraca rrëzoi kërkesën e deputetëve të opozitës për ngritjen e Komisionit Hetimor për të kontrolluar mënyrën sesi qeveria ka zbatuar ligjin për investimet strategjike./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!