Nga Leontina Nika
Petraq Papa, prej më shumë se një dekade është realizuesi i imazheve të pullave të postës monedhash dhe kartëmonedhash.
Lidhjet me to i ka të hershme, fillimisht ka koleksionuar mijëra pulla poste, më pas ai u fut në konkurs ku ka krijuar një numër të madh pullash.
Nuk di të thotë se sa është numri i pullave që ka realizuar, por e kujton atë të parën, një pullë me katër pamje mbi gjetjet më të reja arkeologjike. Ekspozita në galerinë FAB e kuruar nga Najad Hamza shfaq tre pamje.
“Dikush më tregoi për konkursin e hapur nga Posta Shqiptare dhe unë mora pjesë, fitova dhe kështu nisi ky rrugëtim. Ishte si një rikthim te pasioni i dikurshëm. Është një ekspozitë që përmban edhe shumë didaktikë, për ti treguar studentëve se si nis dhe mbaron procesi i krijimis të një pulle poste. Kjo ekspozitë ka tre faqe numizmatika , fialtelia dhe kartëmonedhat dhe monedhat”, tha Papa.
Pullat e dizenjuara prej tij janë të larmishme, ai është autor i imazhit të pullave të emetuara me rastin e ardhjes së Papa Françeskut në Shqipëri, në vitin 2014, apo portretit të shkrimtarit Dritëro Agollit për 85 vjetorin e lindjes.
Mes kartëmonedhave e pullave të postës ka edhe nga ato që nuk janë shpallur fituese, megjithatë ai i trajton të gjitha si vepra të mirëfillta arti.
Kjo ekspozitë shërben edhe si nxitje për studentët.
“Qëllimi im nuk është që të vlerësohet puna ime, por studentët ta shohin si një tjetër mundësi ku ata të mund të provojnë të merrnin pjesë nëpër konkurse. ”.
Ndër mjeshtrit e dizenjimit të pullave, për elegancën, linjën, vlerëson piktorin Naxhi Bakalli, mësuesin e tij.
Edhe 2 mijë lekshi dhe 10 mijë lekshi mbajnë firmën e tij .
Shqetësimi kryesor i artistit është, që puna të përfaqësoi kohën kur është krijuar.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 20 qershor në galerinë FAB./abcnews.al/